Ronaldo nuk “dorëzohet”: Karriera ime ende nuk ka përfunduar, po vazhdoj akoma të shënoj gola

schedule09:36 - 21 Qershor, 2023

schedule 09:36 - 21 Qershor, 2023

Mbrëmjen e djeshme, Portugali arriti fitoren e 4-t radhazi në fazën kualifikueset të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024, teksa mundën në Rejkjavik, Islandën me rezultatin 0 me 1, pas golit të vetëm të sfidës të shënuar nga “heroi” i “luzitanëve”, Cristiano Ronaldo.

Ronaldo shënoi golin e fitores në ndeshjen e tij të 200-të për Kombëtaren, “rekord” ky që përveç se hyri në librin e famshëm “Guiness” motivon edhe më shumë 5 herë fituesin e “Topit të Artë” për të vazhduar të dhurojë spektakël në fushën e futbollit dhe një gjë të tillë e tha dhe vetë Ronaldo në përfundimin e ndeshjes.

“Jam shumë i kënaqur të di që vazhdoj të kënaq shumë njerëz jo vetëm në Portugali, por edhe përtej kufijve të saj me karrierën time, e cila ende nuk ka përfunduar. Dhe mbi të gjitha dua të vazhdoj kështu, sepse jam ende i dobishëm, jam ende duke ndihmuar, ende po shënoj gola. Është më e rëndësishmja.

Për sa kohë që ndihem mirë, ndihem i dobishëm dhe shoh që njerëzit vazhdojnë të më duan dhe duan të shohin kontributin tim, unë do të jem gjithmonë i vërtetë ndaj ekipit portugez, vendit tonë dhe ngjyrave tona. Jam shumë krenar që jam portugez”,- u shpreh pas ndeshjes, një prej më të mirëve të historisë së futbollit. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!