Romina Kuko flet për masat në shkolla: Nuk është situatë rrethimi, por vendosja e një fashe sigurie

schedule21:25 - 20 Shtator, 2023

schedule 21:25 - 20 Shtator, 2023

Disa ditë më parë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla teksa foli për planin e masave në shkolla, deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për të gjithë ata që shkelin perimetrin e sigurisë apo përfshihen në fenomene të jashtëligjshme.

Lidhur me këtë plan ka folur këtë të mërkurë në “Bardh a Zi”, edhe kryetarja e Këshillit të Bashkisë së Tiranës, Romina Kuko, e cila është ndalur te problematikat me të cilat hasen adoleshentët.

Ajo ka theksuar se kjo nuk është situatë rrethimi, por vendosja e një fashe sigurie në një perimetër të caktuar.

“Nuk është situatë rrethimi. Kjo është vendosja e një fashe sigurie në një perimetër të caktuar. Siguria nuk është vetëm perimetrit të shkollës. Sigurisht që siguria është brenda ambientit të shkollës se ka shumë dinamika të brendshme, konflikte të nxënësve, problematika që mund të dalin, por problemi i thyerjes së sigurisë më i madh është në perimetrin e shkollës. Pra, tani po flasim për adoleshentët, në momentin që ata mbarojnë mësimin dhe kanë atë orarin fluid mes shkollës dhe vajtjes në shtëpi. Aty kemi të gjitha problematikat e lokaleve ambulantë, të shitësve, të personave që mund të bëjnë ndonjë aktivitet kriminal duke patur shitjen e lëndëve narkotike ndaj të rinjve. Është një aktivitet adoleshentësh dhe e kanë shumë të lehtë të kapin prenë e tyre”, tha ndër të tjera Kuko./abcnews.al