Roma shpreson në mrekullinë e radhës

schedule16:21 - 24 Prill, 2018

schedule 16:21 - 24 Prill, 2018

Roma shpreson të shkaktojë një tjetër surprizë në Europë. Pas eleminimit të Barcelonës, italianët duan të mundin edhe Liverpulin dhe të arrijnë në finalen e Championsit

Këto skena do të duhet të presin për javën e ardhshme.

Kualifikimi për në finalen e Championsit, ashtu siç ndodhi ndaj Barcelonës, ndoshta do të vendoset në sfidën e dytë në “Olimpiko”.

Sot luhet dueli parë dhe Roma vendosi për një moment ta linte mënjanë futbollin, për të vlerësuar respektin.

Me ish-kapitenin Francesko Totti në krye, dhe nën drejtimin e kapitenit të sotëm, Daniele De Rosi, skuadra italiane vendosi kurora me lule në përkujtimoren e tragjedisë së Hillsborout, aty ku humbën jetë 96 tifozë të Liverpulit.

Më pas, futbollistët dhe stafi teknik i trajnerit Di Françesko dolën në tapetin e shkëlqyer të “Anfield” për të realizuar seancën e përhershme, të fundit stërvitore.

U eleminua favoritja Barcelona, por Di Françesko tërheq gjithsesi vëmendjen.

Di Françesko: “Themelore në këtë ndeshje do të jetë që të luajmë edhe më shumë si skuadër. Të luajmë si ndaj Barcelonës, në mënyrë kolektive, por duke e ditur se do të jemi përballë një skuadre të ndryshme sidomos përsa i përket ritmit. Duhet të jemi në të njëjtin nivel me ta, që të ndeshemi si të barabartë”.

Pavarësisht nga kjo, gazetarët italianë ndihen me besim, për formën e Romës, siç u tregua edhe në Serinë A ndaj Spalit.

Di Françesko: “Do të kemi përballë një skuadër krejt të ndryshme në krahasim me Spalin, pra do të duhet të presim shumë më tepër agresivitet. Liverpuli ka një cilësi të madhe, e ka treguar gjatë gjithë sezonit. Është skuadra me kapacitetin më të madh nga të gjitha për të luajtur menjëherë me vertikalizim, sapo zotëron topin. Nëse bëjmë një gabim sado të vogël, mund të ndëshkohemi, por gjithsesi ne jemi këtu për të bërë lojën tonë, për t’u imponuar, dhe për të shfrytëzuar çdo dobësi të kundërshtarit”.

Për fat, italianët kanë shumë pak çështje dëmtimesh, me vetëm dy mungesa si Karsdorp apo Defrel.

Roma do të mbështetet sërish në lojën e saj të fortë, që i dha suksesin ndaj katalanasve, me De Rosin në mesfushë dhe Edin Xhekon në sulm.

Përballë do të ketë një ish-lojtar të vetin, Mohamed Salahun, i cili u shpall lojtari më i mirë i sezonit në Angli.

Salah ka shënuar 8 herë në Champions këtë edicion, ndaj 6 rrjetave të Xhekos.

Kryeqytetasit e Italisë jepen si më pak të favorizuar sesa anglezët për të shkuar në finale, pavarësisht fitores së shkëlqyer 3-0 ndaj Romës.

Ndoshta ndikon historia, me Romën që ka arritur vetëm një herë deri në fund të Ligës së Kampionëve, në 1984, kur u mund nga Liverpuli.

Po ashtu, edhe bilanci ndaj kundërshtarit është negativ, me vetëm 1 fitore, 2 barazime e 2 humbje, si dhe me një finale të humbur dhe një eleminim në Champions.

Gjithsesi, tifozët kanë besim absolut, dhe nuk e patën aspak problem të mbanin radha të gjata për bileta, madje duke qenë me këngë në gojë.

Liverpuli do të bëjë mirë të pyesë Barcelonën dhe Mesin se çfarë do të thotë të ndeshesh me Romën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!