Një muaj pas nisjes së sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, mbetet e vështirë të përcaktohet qartë se çfarë po udhëheq vendimmarrjen e presidentit amerikan Donald Trump. Megjithatë, një element duket i qartë, vëmendja e tij e vazhdueshme ndaj tregjeve globale të naftës.
Sipas një analize të publikuar nga BBC, deklaratat publike dhe postimet në rrjetet sociale të Trump kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në luhatjet e çmimeve të naftës gjatë javëve të fundit. Në fazat e para të konfliktit, çdo sinjal për përshkallëzim apo zbutje tensioni reflektohej menjëherë në tregje.
Para nisjes së sulmeve më 28 shkurt, nafta tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi. Çmimi arriti kulmin në 119.50 dollarë më 9 mars dhe, sipas të dhënave të fundit, mbetet mbi 113 dollarë për fuçi, duke reflektuar pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike.
Ekspertët e tregjeve financiare theksojnë se energjia është kthyer në një tregues kyç të rrezikut global. Jonathan Raymond, menaxher investimesh, vlerëson se çmimet e naftës reagojnë ndjeshëm ndaj toneve të Trump: rriten kur retorika bëhet agresive dhe zbuten kur ai sinjalizon shmangie të eskalimit.
“Investitorët po përpiqen të çmojnë pasigurinë reale”, shprehet ai, duke shtuar se tregjet mund të duken të paqarta, por në fakt po reagojnë në kohë reale ndaj rrezikut.
Megjithatë, sipas analistëve, interpretimi i deklaratave të presidentit është bërë gjithnjë e më i vështirë. Brian Szytel, nga Bahnsen Group, sugjeron se një pjesë e retorikës mund të ketë për qëllim ndikimin e drejtpërdrejtë në çmimet e naftës, më shumë sesa komunikimin e politikave konkrete.
Në një rast të fundit, pas një rënieje të fortë në tregjet amerikane të aksioneve, Trump deklaroi se bisedimet me Iranin po shkonin “shumë mirë” dhe njoftoi shtyrjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane. Megjithatë, çmimet e naftës vijuan rritjen, duke sinjalizuar një distancim të tregjeve nga deklaratat politike.
Jane Foley, stratege në Rabobank, thekson se reagimet e tregut po bëhen “më të zbehta”, kryesisht për shkak të mungesës së konfirmimeve nga Teherani dhe hendekut mes retorikës dhe realitetit në terren.
Ndërkohë, Russ Mould nga AJ Bell vëren një rritje të skepticizmit mes investitorëve, të cilët tashmë janë mësuar me ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve nga ana e Trump, sidomos në momente presioni politik apo ekonomik.


