Roli i klerikut patriot Haxhi Saliaj kujtohet në Gjirokastër

schedule20:08 - 12 Dhjetor, 2021

schedule 20:08 - 12 Dhjetor, 2021

Baba Haxhi Saliaj u përkujtuar në 85 vjetorin e lindjes me organizimin e një konference e cila mbante titullin  “Bektashizmi ne Gjirokastër dhe roli i shquar i Klerikut Patriot Haxhi Saliajt “.

Aktiviteti u çel nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, i cili e vlerësoi si simbol të fisnikërisë.

“Dervish Haxhi Saliaj iu bashkua klerikëve të tjerë, të cilët pavarësisht infuzicionit shtetëror kaluan jetën e tyre kurdoherë brenda rregullave, duke ftuar edhe brezat e besimtarëve t’i ndiqnin pas. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo plejadë klerikësh u respektua dhe u mbajt si ujët e pakët në radhët e besimtarëve”, u shpreh ai.

Haxhi Saliaj bën pjesë në plejadën e atyre klerikëve bektashian të cilët jo vetëm nuk u nënshtruan prej mekanizmave të propagandës së regjimit komunist por mbajtën të gjallë besimin e palëkundër në Zot u shpreh kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi

“Baba Haxhi Saliaj me aktivitetin e vet do të spikatej jo vetëm si klerik, por me figurën e tij evidentohej atdhedashuria, dëshira për dije dhe arsim”, u shpreh kryebashkiaku.

Ndërsa Baba Skënder Dervishi e vuri theksin tek roli që luajti Baba Haxhi Saliaj

“E gjithë jeta e këtij kleriku të shquar kaloi përmes dallgësh dhe vështirësisë të mëdha. Megjithatë, ajo u jetua deri në frymën e fundit me dashurinë e pastër  për Zotin”, tha ai.

Kumtesa u mbajtën dhe nga pedagogë të historisë në Universitetin e Gjirokastrës. Ndërsa në fund të konferencës u dhanë tituj nderi nga Qarku Gjirokastër, Bashkia Mallakastër dhe Shoqata Mallakastra, zona ku Baba Haxhi Saliaj u lind dhe u rrit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!