Roli enigmatik i Kinës një vit pas pushtimit rus të Ukrainës

schedule09:37 - 25 Shkurt, 2023

schedule 09:37 - 25 Shkurt, 2023

Pikërisht një vit pas pushtimit rus të Ukrainës, Kina është në qendër të dy narrativave kontradiktore. Pekini paraqiti të premten një propozim prej 12 pikash për t’i dhënë fund armiqësive, në një kohë kur Perëndimi ka shprehur shqetësimin e tij për mundësinë e një përfshirjeje më të drejtpërdrejtë të palës kineze në luftë.

Propozimi i Kinës për një armëpushim është pritur me skepticizëm nga SHBA-ja, me shefin e politikës së jashtme amerikane, Anthony Blinken, duke cituar raportet se Pekini kërkon të furnizojë Moskën me armë vdekjeprurëse.

Madje, në një publikim të fundit të revistës gjermane Der Spiegel thuhet se ushtria ruse është në negociata me një kompani kineze për t’u furnizuar me dronë kamikaze.

Nga ana e saj, Kina i mohoi kategorikisht pretendimet e SHBA-së, duke përmendur “ngërçin” dhe mungesën e provave.

Por cilat mund të jenë lëvizjet e ardhshme të Pekinit si dhe çfarë duhet të presë komuniteti ndërkombëtar në të ardhmen e afërt.

A mund të dërgojë Kina armë në Moskë?

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndihma e Pekinit për Rusinë, një aleat i rëndësishëm strategjik, ka qenë kryesisht në natyrë ekonomike dhe diplomatike, ku Moska u detyrua t’i drejtohej Iranit në vend të Kinës për t’u pajisur me armë kritike.

“Pekini ka zgjedhur të ruajë një ekuilibër,” tha Profesor Zhighan Zheng nga Universiteti i Lancaster në Mbretërinë e Bashkuar.

“Rusia është një aleat strategjik i Kinës, por Ukraina është gjithashtu një partner i rëndësishëm tregtar”.

Nga ana tjetër, analistët kanë raportuar se fakti që SHBA po flet për mundësinë e ndihmës ushtarake nga Kina për Rusinë, nënkupton informacione të sigurta për të mbështetur këtë pretendim, raporton abcnews.al.

Por a do të përballonte Pekini pasojat e një vendimi të tillë?

Frika nga sanksionet perëndimore

“Nëse vëzhgojmë nga afër marrëdhëniet tregtare të Kinës me Europën dhe SHBA-në, do të shohim se ato janë shumë më të forta se ato me Moskën”, thekson Zeng.

“Kështu, Pekini do të humbiste shumë më tepër sesa do të fitonte nëse do të mbështeste Rusinë në mënyrë të  drejtpërdrejtë”.

Sipas tij, forcimi i Moskës në nivel ushtarak do të kishte pasoja të rënda për Kinën, pasi do të sillte vendosjen e sanksioneve perëndimore që do të ndikonin rëndë ekonominë e saj, e cila ka vuajtur shumë vitet e fundit.

“Unë nuk mendoj se Kina do të dërgojë ndihmë ushtarake për Rusinë në të ardhmen e afërt,” tha Yun Sun , një analist i Kinës dhe Azisë Lindore në Qendrën Stimson në Uashington.

“Por nëse lufta vazhdon dhe merr formën e një kërcënimi më të drejtpërdrejtë për Rusinë dhe territoret e saj, atëherë gjërat mund të ndryshojnë”, thekson ai.

Çfarë nënkuptojnë thirrjet e Pekinit për paqe?

Propozimi kinez për një armëpushim erdhi vetëm disa ditë pasi Pekini lëshoi ​​një deklaratë të gjatë, të cilën e përshkroi si një “Iniciativë Globale të Sigurisë”.

“Kina tani është më e gatshme të bëjë thirrje për paqe më shumë se një vit më parë, madje duke propozuar veprime konkrete për ta arritur atë,” sipas Sun.

Por si mund të shpjegohet synimi i Pekinit për të marrë përsipër rolin e agjent paqeje?

Pekini “konsideron” një humbje ruse të mundshme

“Askush nuk e parashikoi që lufta do të zgjaste kaq gjatë dhe Kina e kuptoi se Rusia nuk ishte aq e fortë sa pritej,” shpjegon Zheng. Askush nuk priste një ndryshim kaq të rëndësishëm në ekuilibrin e fuqisë midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ai tha se Kina dëshiron të bëjë më shumë këtë vit për të bindur presidentin rus Vladimir Putin të zgjedhë rrugën e paqes. Kjo, siç vëren ai ka të bëjë me faktin se Rusia nuk ka më avantazhin në  luftë dhe nuk është në interesin e Kinës të mbështesë një vend që ka gjasa të dështojë, raporton abcnews.al.

“Pekini tani po shqyrton gjithashtu mundësinë që Rusia të mos e fitojë luftën”, thotë Zheng.

 Qëndrimi i përmbajtur i Wang Yi

Vlen të theksohet se javën e kaluar një theks i veçantë u vu në rëndësinë e marrëdhënieve Kinë-Rusi, në kuadër të vizitës së kryediplomatit kinez, Wang Yi, në Moskë.

Yi u takua me Putinin, por edhe në këtë rast u shfaq më i përmbajtur në deklaratat e tij, duke thënë ndër të tjera se “marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë nuk janë të drejtuara kundër asnjë pale të tretë, megjithëse nuk do t’i nënshtrohen presioneve të palëve të treta”.

Nga ana e tij, Putin tha se pret presidentin kinez Xi Jinping në Rusi, ndërsa foli edhe për “horizonte të reja” sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kujtojmë se Wang Yi ishte takuar më parë me Anthony Blinken, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila, sipas raportimeve amerikane, “nuk shkoi mirë”.

Me Kinën që “luan” në këtë mënyrë në dy narrativa të kundërta në lidhje me evolucionin e luftës në Ukrainë, rreziqet ekonomike që do të kishte ndihma direkte ushtarake për Moskën nga Pekini duhet të merren seriozisht, ndërsa në të njëjtën kohë nuk duhet të nënvlerësohet rëndësia e paralajmërimeve perëndimore, raporton abcnews.al.

Dhe ndërsa analistët thonë se ky skenar nuk është veçanërisht i mundshëm, ka nga ata që theksojnë se Pekini do të vazhdojë të peshojë balancën midis rrezikut dhe përfitimit, ndoshta duke zgjedhur mënyra më indirekte dhe të fshehta për të mbështetur Rusinë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!