“Rolex” ka marrë një masë të jashtëzakonshme për të mbrojtur sigurinë dhe sekretet e kompanisë, duke ndaluar fluturimin e dronëve mbi kantierin e fabrikës së re në Bulle, në kantonin zviceran të Fribourgut, deri më 31 dhjetor 2032.
Gjiganti zviceran i orëve luksoze po ndërton një kompleks të ri ku pritet të punojnë rreth 1 000 persona. Vendimi për mbylljen e hapësirës ajrore mbi kantier është publikuar në Gazetën Zyrtare të kantonit, ndërsa është raportuar edhe nga media zvicerane “La Liberté“.
Sipas kërkesës së kompanisë, masa është marrë për shkak të “rritjes shqetësuese të pranisë së dronëve” mbi zonën e ndërtimit, duke krijuar rrezik për sigurinë e punonjësve dhe mundësi për shkelje të privatësisë dhe zbulim të informacioneve të ndjeshme.
Policia e kantonit Fribourg ka njoftuar se do të ketë të drejtën të neutralizojë dhe sekuestrojë çdo dron që shkel ndalimin.
“Rolex”, i njohur për diskrecionin e tij dhe mungesën e publikimit edhe të rezultateve financiare, besohet se ka marrë masa të ngjashme edhe për fabrikën e saj në Biel/Bienne, ku prodhohen mekanizmat e orëve.
Kompania ka argumentuar gjithashtu se nevoja për mbrojtje është shtuar pas një vjedhjeje në kantier në maj të vitit 2025, kur u vodhën materiale me vlerë rreth 100 mijë franga zvicerane.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se dronët mund të kapërcejnë lehtësisht gardhet e objekteve industriale, të monitorojnë lëvizjet e kamionëve, të mbledhin të dhëna mbi aktivitetin e kompanive dhe madje të identifikojnë sinjalet Bluetooth të automjeteve.
Ndërsa shumë kompani përdorin sisteme të avancuara për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve, “Rolex” ka zgjedhur një zgjidhje më të fortë: ndalimin e plotë të fluturimeve mbi kantier dhe zbatimin e masës nga autoritetet policore.


