TIRANË- Një prej problemeve me të cilat përballet sistemi gjyqësor është rrjedhja e sekretit hetimor. Për këtë çështje, kandidati Adnan Xholi, u shpreh se asnjë prej palëve që janë në proces nuk dëshiron nxjerrjen e tyre.
Ai theksoi se detyra për ruajtjen e sekretit hetimor është i prokurorit.
Sipas tij, çdo aktor, përfshirë dhe median, duhet të bëjë detyrën për ruajtjen e integritetit të personave, të cilat në fund mund të shpallen dhe të pafajshëm.
” Asnjë nga palët në proces nuk ka interes që ta nxjerrë sekretin hetimor. Janë palë të treta, që kanë ndodhur. Është shija më e hidhur në sistem, sepse unë jam i parimit që: gjykimi duhet të bëhet në sallën e gjyqit dhe jo nëpër auditorë, jo nëpër emisione televizive kam shumë problem, sepse më prish gjithë dinamikën hetimit, imazhin e atyre personave, sepse ai është i pandehur dhe akoma nuk është i dënuar, se mund të ndodh që edhe mund të gabohet.
Përse do duhet që të dalin këto të dhëna në media? Do duhet një strategji, bashkëpunim, mirëkuptim edhe me personat që u vihet në dispozicion kjo, por edhe me median, ku prishet interesi i publikut, aty ku rrezikohet jeta e individëve, gjithsecili le të bëjë punën e tyre në mënyrë të pavarur. Detyrimin për të ruajtur materialet sekrete e kemi ne. Nëse jemi ne të paaftë, atëherë duhet ta kërkojmë te vetja këtë lloj paaftësie”, tha ai.

