Florian Riza, ish-sulmuesi i Tiranës, i zakonshëm i ditëve të enjte në emisionin “Pressing” në ABC News, ka komentuar ndryshimin e diferencës mes Kukësit e Tiranës, me bardheblutë që tashmë kanë vetëm gjashtë pikë më shumë.
Riza mendon kështu: “Do shtohet presioni nëse Kukësi mposht një ekip që e ka mundur Tiranën. Duhet të shohim ndeshjen e Teutës me Kukësin. Aty bëhet vlerësimi i plotë. Nëse një ekip i bën dëm Tiranës, pastaj i bën edhe Kukësit, atëherë nuk ka asnjë ndikim”.
“Në përgjithësi fiton ekipi të cilit i duhet më shumë fitorja. Tiranës i duhet më shumë, edhe pse Vllaznisë i duhet të luajë ndeshje shtesë për qëndrimin në elitë. Nuk bie direkt dhe mendoj se Tirana ndodhet në një situatë që nuk e kishte provuar, sikurse edhe trajneri.
Futbolli të provon, por ka edhe sprova. Ky është moment prove për Tiranën. Me Kukësin është sprovë. Nuk është një ndeshje kaq e pamenaxhueshme. Mos ta provojë Egbo humbjen? Unë mendoj se pati debate dhe të gjithë ishin njëzëri që Joachim Low të ikte nga Gjermani.
Ky është argumenti i parë. Atë e mbajtën. Kur del kampion bote, ai vetë nuk mund të jetë pjesë e këtij ekipi. Pa dalë kampion nuk mund të themi që Egbo është i lëvizshëm”, tha Riza. /abcnews.al