Një ditë pas rivendosjes së sanksioneve ndaj Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar aleatët se kush bën tregti me Republikën Islamike do të prishet përfundimisht me Shtetet e Bashkuara. Me një postim në Twitter, Trump ka deklaruar se gjithçka e bën në emër të paqes.
Presidenti Donald Trump u është drejtuar me një apel të fuqishëm të gjitha vendeve, përfshirë atyre aleate, se kush bashkëpunon me Iranin pas rivendosjes së sanksioneve amerikane do të përballet me pasoja. “Kushdo që bën tregti me Iranin nuk do të mund të bëjë më tregti me Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Trump. Disa nga sanksionet e rivendosura hynë në fuqi mëngjesin e së martës, ndërsa ato më të ashpra, që kanë të bëjnë me naftën do të aplikohen në nëntor.
Duke reaguar, presidenti iranian Hasan Rouhani ka deklaruar se masat e Uashingtonit janë një “luftë psikologjike”, që synon të krijojë përçarje mes popullit iranian. Sanksionet vijnë pas tërheqjes pak muaj më parë të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e nënshkruar nga presidenti Barack Obama. Trump e ka cilësuar marrëveshjen në fjalë “të njëanshme, katastrofike dhe më të keqen e nënshkruar ndonjëherë”. Tani, shefi i Shtëpisë së Bardhë shpreson se sanksionet financiare do të detyrojnë Iranin të pranojë një marrëveshje të re. Bashkimi Europian, që ka deklaruar se do t’i përmbahet marrëveshjes origjinale, ka bërë me dije se do t’i mbrojë kompanitë evropiane që bëjnë “biznes legjitim” me Iranin.
Por në profilin e tij në Twitter, Trump ka insistuar se bëhet fjalë për sanksionet më efikase që janë vendosur ndonjëherë. “E bëj këtë në emër të paqes, asgjë më pak!”, ka thënë Trump./abcnews.al