Rita Lati zbulon projektin që e rikthen në kinematografi dhe zënkat me Rozën

schedule20:57 - 30 Korrik, 2021

schedule 20:57 - 30 Korrik, 2021

Gazetarja e “Edicioni Veror” u zhvendos ditën e sotme në Borsh për të pasur mundësinë e një bisede me aktoren e njohur të humorit Rita Lati. Rita tregoi se në Borsh ndihet si në shtëpi, e rrethuar nga njerëzit që e duan.

Gjatë intervistës  aktorja e njohur e humorit tregoi rreth një projekti të ri në të cilin është përfshirë si dhe për zënkat që ka ndonjëherë me vajzën Roza.

“Gjatë verës dua plazhin, të kem Rozën që të zihemi sa më shumë që të na marrë vesh lagja. Të kem njerëz që më falin dashuri,” shprehet Lati.

Rita nuk i kurseu “ankesat” për Rozën, pasi siç tregoi ajo, e sheh shumë pak pasi ajo është duke u marrë me një projekt rreth të cilit nuk mund të japë detaje ende.

“Është një dëshirë e mamit që ajo do ta realizojë.”

Ndërsa, duke folur për projektin e saj, Rita tregoi se është e angazhuar në një serial për të cilin pritet të nisin xhirimet së shpejti.

“Kam filluar një serial me Gent Hazizin. Jam shumë e lumtur. Ka filluar vetëm puna në tavolinë. Jam shumë e lumtur që pas kaq viteve e pranova diçka se jam bërë shumë e keqe. Jo se nuk dua, por dua një gjë që të më përshtatet. Pra, të jetë Rita tek ajo gjëja.”

Sërish, aktorja e humori u tregua e rezervuar rreth serialit ndërsa rrëfeu se në karrierë nuk ka asnjë peng.

“Nuk duhet të japim shumë detaje, por do të jetë një gjë shumë e bukur. Xhirimet nisin pas pushimeve. Pastaj koncerte e gjëra i kam lënë, jo se nuk i duam lekët…S’kam asnjë peng në karrierë. Dua që ato që kam bërë të mbahen mend.”

Por cili është sekreti i Ritës që gjithmonë është në formë dhe e qeshur?

“Dashuro, shijo, ushqeu mirë, shëndetshëm, gjëra të freskëta. Gjendja shpirtërore. Nuk ka nevojë femra të ndihet e bukur, duhet të ndihet e lumtur.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!