Për herë të parë me formatin e zgjeruar me 32 skuadra, në evenimentin Kupa e Botës për Klube që po organizohet në SHBA po dhurohet spektakël futbolli me skuadra pjesëmarrëse nga të gjitha kontinentet e botës.
Në këtë evenimet spikasin 12 ekipe evropiane, por sigurisht edhe skuadrat nga Afrika, Azia, Amerika, Oqeania që pritet t’i japin ngjyra spektakolare kompeticionit.
FIFA do të shpërndajë 1 miliard dollarë në total, që do të ndahen mes skuadrave, ndërsa fituesi do të shpërblehet me 125 milionë dollarë.
Skuadra franceze PSG e respektoi parashikimin si favorit për të fituar Kupën e Botës për klubet, duke shkatërruar 4: 0 Atletico Madridin, në atë që cilësohej si një derbi i fortë europian.
Ky kompeticion po shoqërohet me risi, të cilat nuk janë aplikuar më parë. Gjyqtarët do të mbajnë kamera të montuara në gjoks, duke u ofruar tifozëve pamje në kohë reale.
Vendimet e VAR do të shfaqen në kohë reale në ekranet e mëdha të stadiumit, duke sjellë më shumë qartësi në vendimet e diskutueshme. Një sistem i ri gjysmë-automatik i pozicionit jashtë loje do të kombinojë çipat inteligjentë të topit me analiza në kohë reale për vendime më të shpejta dhe më të sakta.
Gazetari dhe specialisti i futbollit, Uvil Zajmi, i ftuar në emisionin “Botërori i vogël” në ABC Neës, tha se ky kompeticion ka anët pozitive dhe negative.
“Ka anët pozitive dhe negative. Janë 1 miliard dollarë për këtë kompeticion, Skuadrat janë në lëvizje, janë në qarkullim të lojtarëve se kush vjen dhe kush ikën. Luhet në një atmosferë në kushte jonormale. Kemi një muaj veprimtari”, tha ai.
Ai theksoi se pjesa, e cila tingëllon keq është minimizimi i arbitrit pasi rregulloren më shumë i është besuar teknologjisë.
“Janë 35 arbitra në total. 10 janë nga Europa. Një seleksionim që i ka befasuar të gjithë. E kanë larguar arbitrin njeri. Kemi gjithmonë e më pak arbitrin njeri. Një ditë nuk do ketë nevojë për asistent”, tha ai.
Ish-futbollisti Ledi Pano, analizoi skuadrën franceze dhe tha se trajneri Luis Enrique po bën një punë të jashtëzakonshme.
“Strumbullari i PSG është trajneri, mënyra se si ai i motivon ata lojtarë. duke marrë kupa dhe në çdo ndeshje duke bërë të njëjtën performancë, kjo tregon se ka një motivim tjetër. Sot në futboll është më tepër psikologjia, se sa stërvitja. Unë mendoj se ai është ylli i PSG”, tha ai.