Risia në Tiranë, çerdhe dhe kopshte pranë kompanive që kanë mbi 100 punonjës

schedule13:25 - 8 Shtator, 2019

schedule 13:25 - 8 Shtator, 2019

Për herë të parë në Tiranë, ashtu siç ndodh edhe në vendet e tjera europiane, bashkia po punon me kompanitë e mëdha private, që pranë tyre të hapen çerdhe dhe kopshte. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo do të shmangte edhe mbingarkesën në çerdhet dhe kopshtet publike.

Për të ulur fluksin e kërkesës në çerdhet dhe kopshtet publike të kryeqytetit, Bashka e Tiranës po punon që institucionet për rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve të hapen edhe pranë ndërmarrjeve apo kompanive të mëdha private. Ndërsa nё administratё parashikohet të shtohet dhoma e mjekut, e psikologut, si dhe dhoma pёr nёnat e latantёve.

“Këtë vit do të sjellim një risi: Siç e kërkon ligji dhe siç është tradita në të gjitha vendet e BE-së, kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish, mbi 100 punonjës, si kompanitë e telekomunikacionit, bankave, të fillojnë të instalojnë në mjediset e tyre çerdhe dhe kopshte. Është një mënyrë për t’u siguruar që prindi që punon e ka shumë të afërt vendin ku po rritet fëmija i tij, por edhe për t’i hequr një ngarkesë qytetit”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve në një çerdhe pranë Njësisë 10 tha se përmirësimi i kushteve në institucionet parashkollore ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për frekuentimin e tyre.

“Kemi pasur një dyndje të jashtëzakonshme në çerdhet e Tiranës, kemi marrë ndoshta komplimentin më të madh kur njerëzit të fusin mik edhe për t’u futur në çerdhe e kopshte. Besimi se këto çerdhe e kopshte publike kanë një cilësi kaq të lartë, duhet shpërblyer me investime. Në vende si kjo hapësirë në zemër të Tiranës, ku edhe shpronësimi është i shtrenjtë, ku edhe toka e lirë është e paktë, po mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht; pra, kemi dyfishuar kapacitetin e çerdhes, duke shtuar 4 grupe të tjera dhe do të mundohemi që në të gjithë territorin, aty ku ka vend për hapësira të reja, të zgjerojmë hapësirat e akomodimit, të shtojmë grupet apo edhe terrenet sportive, siç do të bëjmë edhe këtu një kënd lodrash”.

Kreu i Bashkisë u bëri apel të gjithë prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat që janë më afër vendbanimit të tyre./ABC News Albania 24/7