Riparuesi i kitarave/ Llapanji: Nuk ka humbur tradita, korçarët e duan muzikën

schedule20:49 - 24 Shkurt, 2024

schedule 20:49 - 24 Shkurt, 2024

Thonë se kur u hodhën themelet e para për ta bërë Korçën një qytet modern, dikush  tha : ky qytet duhet të ketë formën e zemrës dhe të kitarës. Aq shumë ishin magjepsur pas këtij instrumenti, të cilët e sollën në qytet emigrantët korçarë që emigruan kryesisht në SHBA, sa e bënë atë pjesë të jetës dhe familjes së tyre. Madje u bë aq popullore sa doli dhe fjala se në Korçë çdo familje ka një kitarë. Ka qenë ky instrument që edhe pse nuk ka një datë të saktë kur ka hyrë në këtë qytet, edhe pas kaq shumë vitesh, Korça identifikohet me serenatën.

Genci ka qenë vetëm 12 vjeç kur ka pasur kitarën e parë. Fillimisht ai dëshironte të bëhej violinist, por në fund zgjodhi kitarën. Me hapjen e kufijve, ai u largua në emigracion, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga kitara, kudo ku shkonte, kitarën e kishte gjithmonë me vete.

Pas një emigrimi të gjatë, duke udhëtuar nga qyteti në qytet, nga shteti në shtet, Genci vendos të kthehet në Korçë. Bashkë me një kolegun e tij vendosin që në Pazarin e Korçës të hapin një dyqan për shitjen dhe riparimin e kitarave.

Genci tregon historinë e jetës së tij për riparimin e kitarave. Një eksperiencë që sot i tingëllon komike, por që e trishtoi në kohën kur i ndodhi. Ai teksa mundohej të ndreqte kitarën e tij, e kishte prishur atë.

Në një qytet ku ka kaq shumë kitara, nuk mund të mungonte dhe servisi për riparimin e tyre. Genci tregon me detaje sa sa shumë punë dhe mund dhe sa dashuri i jep riparimit të kitarave, pasi është një profesion që nuk mund ta bëjë gjithkush, përveçse një kitarist. Një ndërhyrje e pa vend dhe kitara humbet apo ndryshon tingullin dhe akustikën e saj.

Dhe në Korçë gjenden shumë lloje të kitarave akustike qoftë ato klasike apo flamengo. Një traditë kjo që duket se do të vazhdojë gjatë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!