Rinovimi i PS/ Gjylameti: Iu kemi dhënë gjithmonë prioritet të rinjve. Ka qenë çelësi jonë i fitores

schedule19:53 - 16 Shtator, 2024

schedule 19:53 - 16 Shtator, 2024

Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti komentoi edhe lëvizjet e PS-së për t’u hapur rrugë të rinjve në parti. E pyetur nëse nxjerrja e deputetëve me më shumë mandate në zonën e hapur të listës së zgjedhjeve, e cila do t’i hapë rrugën të rinjve në parti, do të lërë shumë deputetë të tjerë jashtë, Gjylameti u shpreh:

“Ka shumë të rinj në moshë por që kanë eksperiencë disa vite në PS. Nga ana tjetër, kemi treguar se kemi qenë një nga institucionet në Shqipëri që ka treguar më së miri përfaqësimin e të rinjve dhe kombinimin me ata që kanë vite eksperiencë dhe kjo ka qenë gjithmonë çelësi fitues në PS. Mbaj mend nga vetja ime kur kam aderuar në PS se si e shikoja veten krah Pandeli Majkos. Ne të dy kemi kandiduar në të njëjtën zonë, nuk kisha eksperiencë në nivele drejtuese në njësinë 5, ndërsa zoti Majko ka qenë ish kryeministër dhe vazhdonte me një eksperiencë të gjatë. Ka qenë çelësi jonë i fitores dhe vazhdon të mbetet.

Për sa kohë e reja përfaqëson ata që kanë vite eksperiencë, bëhet edhe ajo që duhet të jetë. Ne marrim energjinë dhe idetë e të rinjve të kombinuar me eksperiencën e atyre që kanë vite që kontribuojnë në PS, dhe bëhet kombinimi i duhur. Jemi të hapur dhe do të jemi. Ne sot duhet të mendojmë për atë çfarë është Shqipëria 2030. Dhe jo çfarë ka qenë në këto vite. Sot ne duhet të flasim me gjuhën e të rinjve. Nëse ata I kemi më pranë vetes dhe na furnizojnë me energjitë dhe planet e së ardhmes, politikat që ndërmerren do të jenë në funksion të asaj që do të jetë Shqipëria edhe nesër dhe jo vetëm sot.”

E pyetur nëse hapja e partisë dhe vetëpastrimi është një strategji fituese për zgjedhjet e vitit 2025, ajo shtoi:

“Është një prej hallkave të një zinxhiri shumë të gjatë të atyre se çfarë bëhet. PS tashmë është tre mandate në pushtet dhe ka treguar se ndërmjet asaj që ka premtuar dhe nëpërmjet programit qeverisës në zbatim të programit elektoral, ka sjellë rezultate konkrete. Kur i drejtohesh, një është lista e deputetëve, pastaj çfarë ke bërë në këto vite, sa alternativë je për të rinjtë dhe shtresat e tjera të shoqërisë, në fund i drejtohesh një elektorati me rezultate konkrete. Si PS kemi treguar se jemi më avangard se partitë e tjera.”