Ishte kusht i qeverisë dhe duhej plotësuar. Klubet e futbollit nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur kontraktimin e kompanive për të dezinfektuar impiantet e tyre, qoftë stadiumet ku do të luajnë ndeshjet, qoftë komplekset sportive.
Flamurtari, në të vërtetë, nuk ka pasur nevojë të gjejë një firmë private, pasi spastrimi nga viruset e mundshëm është bërë nga ndërmarrja e Bashkisë së Vlorës. Punonjës të punësuar në pushtetin vendor kanë dezinfektuar fushën e stadiumit “Flamurtari”, pistën rreth saj, vendet e stolave për stafet teknikë e lojtarët rezervë, si dhe tribunat.
Po ashtu, pastrim edhe për ambientet e brendshme, si dhomat e dusheve, të vaskave, tualetet si dhe dhomat e zhveshjes. I njëjti proces edhe për kompleksin stërvitor në Pyllin e Sodës, ku skuadra vlonjate kryen seancat përgatitore.
Fusha e lojës, të paktën me aq sa dallohet me sy të lirë, është në gjendje të mirë. Flamurtari duhet të presë Vllazninë në stadiumin e vet, ndërsa Superiorja pritet të nisë në 3 qershor, të paktën sipas marrëveshjes së klubeve me Federatën.
Edhe Tirana ka bërë dezinfektimin e ambienteve të veta në kryeqytet. Klubi bardheblu ka njoftuar se ka firmosur kontratë me kompaninë “Ring Klining”, e cila ka pastruar mjediset në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe në kompleksin “Skënder Halili” në Qytetin e Nxënësve.
Në “Selman Stërmasi”, u dezinfektua gjithçka, që nga korridoret e brendshme, salla e konferencave për shtyp, ambientet e brendshme të skuadrave, si dhe ato në fushë. Tirana e rinis kampionatin me ndeshjen ndaj Bylisit në Ballsh. /abcnews.al