Ministria e Shëndetësisë ka gati një plan për një rihapje të butë të sistemit shëndetësor për vizitat, konsultat por edhe ndërhyrjet kirurgjikale të programuara. Krahas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve, ministrja Manastirliu paralajmëroi edhe një rihapje të butë të sistemit shëndetësor.
“Po tregohemi të kujdesshëm për të bërë rihapjen e butë të sistemit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Pas spitalit Infektiv dhe Sanatoriumit, godina e ish-Kirurgjisë në QSUT do të jetë spitali Covid-3. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektoi ambientet e ish-kirurgjisë ku grupi i ekspertëve ka parashikuar të shtojë kapacitetet e sistemit shëndetësor në rast se numri i pacientëve me Covid-19 do të vijë në rritje.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka parashikuar spitalin COVID. Në kuadër të planit të masave apo të lehtësirave që ne po planifikojmë, kjo strukturë ti përshtatet nevojave që mund të sjellë ky virus”, u shpreh Manastirliu.
Nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri rezultojnë 712 raste të konfirmuara me Covid-19, prej të cilëve 403 janë shëruar plotësisht, 282 vijojnë të jenë mbartës të virusit ndërkohë që 27 persona e kanë humbur betejën me koronavirusin.