Të hënën do të rifillojë përsëri dialogu me Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e mardhënieve. Në këtë raund do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Pas ndërprerjes për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviç në Mitrovicën e veriut, do të rinisë procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili ndërmjetësohet nga BE.
Kryenegociatori i Kosovës Avni Arifi dhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç do të takohen të hënën në Bruksel. Pritet që bisedimet të zgjasin për dy ditë dhe do të diskutohet për zbatimin e plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Burime nga Komisioni Europian kanë thënë për Tanjug se pritet që bisedimet të jenë konstruktive dhe të fokusuara në rezultatet e arritura në zbatimin e çështjeve të mbetura të hapura nga marrëveshja e Brukselit. Sipas mediave serbe në ditën e parë të dialogut do të bisedohet për çështjet, siç janë: zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare dhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.
Në agjendën e diskutimeve në ditën e dytë të takimit në Bruksel do të jenë: themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe energjetika. “Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog është i rëndësishëm për progresin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt BE-së”, citohen zyrtarët e Brukselit të kenë thënë për mediat e Beogradit para këtij raundi të bisedimeve.
Ndërkohë, Prishtina zyrtare pritet të prezantojë një projekt marrëveshje të re për Asociacionin e Komunave Serbe, e cila duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Sipas disa burimeve për mediat serbe, nëse do të ketë përparim në bisedime, do të ketë një takim mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut serb Aleksandër Vuçiç. Dy krerët e shtetit mund të takohen javën e ardhshme në një drekë të përbashkët, të cilën e organizon Kryeministri bullgar Bojko Borisov në Sofje, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shefja e BE-së për politikë të jashtëme, Federica Mogherini dhe Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn./abcnews.al