Rilindja urbane e Prrenjasit, qeveria investon rreth 80 milionë lekë për qendrën

schedule16:01 - 28 Janar, 2018

schedule 16:01 - 28 Janar, 2018

Ka nisur puna për rikonstruksionin e qendrës së Bashkisë Prrenjas. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, ka premtuar se do të vazhdojnë me projekte në rrugë rurale dhe në rrugë rajonale.

80 milionë lekë është fondi që qeveria ka akorduar për rikonstruksionin e sheshit kryesor të Prrenjasit.
Projekti do vazhdoj për t’i dhënë harmoni të plotë fasadës së qytetit u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj: “Prrenjasi ishte një qytet pa qendër dhe me këtë projekt përfiton një qendër shumë moderne dhe besoj që ky projekt duhet të vazhdojë në mënyrë që ta kthejmë të gjithë fasadën në harmoni të plotë me qendrën. Tashmë projektet e Rilindjes Urbane do të kalojnë përtej qyteteve, në rajone dhe në fshatra. Jemi duke negociuar dy projekte shumë të rëndësishme për rrugë rurale dhe rrugë rajonale. Kombinimi i të dy projekteve do të jetë rreth 200 milionë euro”.

Qendra e munguar prej kohësh në këtë bashki do të rilindë në bashkëpunim me qeverinë italiane vuri në dukje kreu I grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Taulant Balla: “Krahas këtij investimi shumë të rëndësishëm që është në vijim, dua të them që Bashkia e Prrenjasit është përfituese edhe e një projekti shumë të rëndësishëm, në kuadër të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Italiane për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore dhe shndërrimin e saj në një qendër multidimensionale, përfshirë këtu edhe një bibliotekë të munguar për qytetin”.

Ndërkohë, zona e Rrajcës, tashmë e njohur botërisht pas përfshirjes në UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore, është përzgjedhur një prej 100 fshatrave të cilët do të jenë model i zhvillimit./abcnews.al