Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Andi Hoxhaj thotë se presidenti i ri amerikan Donald Trump do të ketë një marrëdhënie produktive me BE-në. Sipas tij, fakti që disa liderë evropianë nuk ishin të ftuar në ceremoninë e inaugurimit këtë të hënë nuk tregon asgjë, pasi në këto festime ftohen pak persona.
“Zakonisht në këto festime shumë pak veta ftohen, ose janë persona të ngushtë të Trump. Nuk ka qenë praktikë në vitet e mëparshme por Trump ishte do të fokusohet në problemet që ka brenda SHBA. Unë pres dhe mendoj se ka për të pasur marrëdhënie produktive me BE. Me Melonin ka qasje më natyrale pasi janë nga parti konservatore dhe puqen nga idetë që kanë, kryesisht për politikat kundër emigracionit. Ka thënë se do të vendosë tarifa por është shprehur se Britania nuk do të jetë pjesë e kësaj tarife. Natyrisht një nga vizitat e para në Evropë, do të jetë në Britaninë e Madhe.“, u shpreh Hoxhaj.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, duke u ndalur te lufta në Ukrainë, tha: “Do të kemi ulje të tensioneve dhe ndalim të konfliktit, pavarësisht kostos.”
Sa i përket rajonit të Ballkanit dhe dialogut Koosvë-Serbi, Softa tha se do të ketë një qasje tjetër. Sipas tij, administrata e Trump mund t’i rikthehet marrëveshjes së parashtruar më parë.
“Trump do të ketë qasje tjetër sepse kemi parë se Grenell do t’i bashkohet Shtëpisë së Bardhë dhe është emisari i dërguar për vende specifike dhe do të jetë i përfshirë edhe për Serbinë dhe Kosovën. Mendoj se do ta rishikojnë edhe njëherë marrëveshjen gjatë presidencës së Trump. Një nga nuancat e marrëveshjes është aplikuar, por pasi të mbarojnë zgjedhjet në Kosovë, do të kuptojmë më mirë dinamikat. Zgjedhja e Trump ka për të luajtur rol gjatë fushatës në Kosovë për disa vendimet që ka marrë Kurti. Nuk mendoj se do të ketë ndryshim të madh te sanksionet.
Kthimi i Trump ka surpriza në lidhje me marrëdhëniet Serbi-Kosovë dhe marrëdhëniet ballkanike. Nuk është shprehur për qëndrimet ndaj Ballkanit, por si person radikal dhe autoritar në zgjidhje, duhet të ketë një plan, që duhet të përfundojë në zbutjen e konflikteve dhe nuk e di nëse do të kemi ndryshim apo prekje të territoreve.”, shtoi Softa./abcnews.al