Rikthehet tatimi për biznesin e vogël, 15% mbi të ardhurat

schedule22:30 - 16 Qershor, 2022

schedule 22:30 - 16 Qershor, 2022

Nga Erblina Mile

Rikthehet tatimi për bizneset e vogla. Në projektligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” e publikuar zyrtarisht sqarohet se profesionet e lira do të taksohen me 15% të ardhurave në 1 janar të vitit 2023. Ndërkohë të gjitha bizneset  që merren me tregti apo shërbime si baret, rrobaqepësitë apo parukeritë do të vijojnë të jenë pa taksa.

Aktualisht Bizneset e vogla dhe të vetë punësuarit me xhiro deri në 14 milionë lekë janë të përjashtuara nga tatimi mbi fitimin. Futja e profesioneve të lira në tatim  u vendos pas skandalit të publikimit të pagave ku u konstatuan se shumë persona të pajisur me Nipt qarkullonin shuma të mëdha parash dhe nuk paguanin tatim.Në këtë mënyrë për të shmangur abuzimet në vitin 2023 parashikohet  që në skemën e tatim-fitimit të futen profesionet e lira  ose ata që ofrojnë shërbime kundrejt kompanive të tjera.

Në draft parashikohet ndër të tjera se tatimi do të jetë në dy shkallë.Profesionet e lira ose të vetëpunësuarit që realizojnë xhiro vjetore deri në 14 mln lekë do të paguajnë normë tatimore 15% dhe bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë do të paguajnë normë tatimore 23 për qind.

Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 mln Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në bazë të fushës ku operon nga 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar deri në 90% të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë

Qeveria ka përjashtuar vitin e kaluar biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit nga tatimi mbi fitimin dhe ata me të ardhura deri në 10 milionë nga TVSH-ja.

/abcnews.al