Rikthehet normaliteti në Kuvend/ Mblidhen komisionet parlamentare pas marrëveshjes PS-Berisha

schedule12:17 - 18 Mars, 2024

schedule 12:17 - 18 Mars, 2024

Pas rreth gjashtë muajsh kaos Kuvendi i rikthehet normalitetit.

Tre komisione parlamentare, ai i ligjeve, çështjeve europiane dhe çështjeve sociale e shëndetësisë  iu jane kthyer mbledhjeve me prani fizike të deputetëve.

Kjo pas 15 marsit ku  Partia Socialiste dhe Rithemelimi arritën nje marrëveshje për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëri për 2 koncesione në shëndetësi dhe tjetri për sistemin TIMS.

Në komsionin e ligjeve  bie në sy  prania e deputetëve pranë Sali Berishës, si Gazmend Bardhi, Dhurata Çupi  apo Dashnor Sula, por  mungonte Enkelejd Alibeaj, grupimi I te cilit eshte shprehur mosbesues per marreveshjen e arritur dhe e ka quajtur Pazar te Berishes me Ramen.

Opozitarja Jorida Tabaku drejtoi  komisionin e çështjeve sociale  ndërsa  deputetë të rithemelimit dhe partisë së lirisë  morën pjesë në diskutime ne mbledhjen e komisionit per çështjet sociale dhe shëndetësine.

Rikthimi  i  normalitetit në Parlament ishte temë e bisedës dhe në mbledhje e grupit parlamentar socialist e cila u zhvillua  mëngjesin e të hënës në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i grupit Bledi Çuci  iu tha deputetëve se nuk ka asnjë marrëveshje e as do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme pas dakordësisë me  Rithemelimin.

“S’ka asnjë nënkomision apo strukturë tjetër, thjesht në Komisionin e Ligjeve do të krijohet një mekanizëm dialogu për ligjet me 3/5 dhe ato që kanë lidhje me çështjet e integrimit europian. Opozita u rikthye andej nga kishte ikur. Ramë dakord të ndryshojmë objektet e komisioneve hetimore në Konferencën e Kryetarëve” 

Në grupin e PS u diskutua për projektligjet e parashikuara në axhendën e seancës të së enjtes ku pritet të kalojë  akti normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, projektligji për sigurinë kibernetike dhe atë për Gardën e Republikës.

Kryesocialisti Edi Rama u fokusua në mbledhje kryesisht tek punët e partisë. Ai iu  kërkoi   deputetëve të vijojnë  punën me organizatat socialiste në terren dhe të intensifikojnë  komunikimin me  qytetarët në çdo zonë.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar  të Partisë Socialiste  kryeministri Edi Rama  zhvilloi një takim me  kryetarin e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.

Nuk përjashtohet mundësia  që në focus të bisedës të ketë qenë dhe amnistia penale e cila pritet të rikthehet në  kalendarin e Kuvendit seancën e ardhshme.

Deri tani ajo ka mbetur peng I 84 votave.   Mbetet  për tu parë se si do të arrihet shumica e cilësuar  në vijim, mes mazhorancës dhe PD apo mes mazhorancës dhe Rithemelimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!