Rikthehet në Tiranë shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Glover: Do diskutojmë rekomandimet

schedule16:17 - 15 Tetor, 2019

schedule 16:17 - 15 Tetor, 2019

Kryesuesja e misionit që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri, Audrey Glover ndodhet në Tiranë për tu takuar me të gjitha palët politike në vend. Në një prononcim të shkurtër për media Audrey Glover ka treguar se është duke diskutuar për rekomandimet që OSBE/ODIHR a adresuar në raportin e fundit pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

E ka drejtuar për në selinë blu reforma zgjedhore, një nga 9 ҫështjet në rezolutën e Bundestagut gjerman, që Shqipëria duhet të zgjidhë për të bërë të mundur hapjen e negociatave të pranimit në BE.

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR Audrey Glover ka diskutuar për 60 minuta me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha draftin me pesë pika themelore nëpërmjet të cilave opozita e bashkuar kërkon që procesi i negociatave për Reformën Zgjedhore të kryhet nëpërmjet një përfaqësie të përbashkët me 3 palë: ndërkombëtarët (BE-, OSBE/ODIHR, SHBA), një përfaqësues i parlamentit dhe një i opozitës së bashkuar.

Në dalje nuk u dhanë detaje nga ky takim përveç përcjelljes miqësore të kryedemokratit.

Ishte vetë kryedemokrati pak më vonë që nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale tregoi se ka ndarë me drejtuesen e misionit të OSBE/ODHIR, ambasadoren Audrey Glover zgjidhjen e vetme për të dalë nga kriza.

“Reforma zgjedhore është vendimtare për ne dhe e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë. T’ua hedhësh fajin të tjerëve është gjëja më e thjeshtë por nuk arrin askund! Ndaj ne duhet të besojmë dhe punojmë fort për ta realizuar këtë reformë. Opozita ka një strategji të qartë dhe është momenti për ta zbatuar pa humbur kohë!”

Në hapësirën midis takimit të radhës të planifikuar me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, shefja e misionit të OSBE/ODIHR e ruajti fshehtësinë e informacionit që dha dhe mori duke treguar me fjalë të përgjithshme për qëllimin e vizitës së saj në Tiranë.

Heshtjen për mediat e respektuan edhe nga selia e Lëvizjes Socialiste për integrim.

Takimin e radhës Audrey Glover ia rezervoi bashkëkryetarëve të komisionit të reformës zgjedhore. Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari kanë marrë përsipër që të gjejnë një zgjidhje për reformën zgjedhore brenda vitit, kërkesë kjo ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt. Që reforma zgjedhore të hyjë në shinat e kërkuara nga OSBE/ODIHR i kërkohet prokurorisë që të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera./abcnews.al