Në verilindje të vendit janë rikthyer reshjet e dëborës, por me intensitet të ulët. Reshjet nisën në orët e para të mëngjesit.
Në qytet trashësia e dëborës është me rreth 2 deri 3 centimetra ndërsa në zonat malore deri në 10 centimetra. Problematikat e para kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor në të gjitha akset. Në rrugën e Kombit mjetet e makineritë borëpastruese kanë përshkuar të gjithë gjatësinë e saj për pastrimin dhe trajtimin me kripë për të shmangur problematikat.
Edhe në rrugët e tjera nacionale është punuar nga operatoret për trajtimin e tyre me kripë dhe mbajtjen e situatës nën kontroll. Probleme ka në disa rrugë rurale në njesitë e thella administrative në Kukës Has e Tropojë. Komisioni i Emergjencave civile njoftoi se në disa fshatra mungon energjia elektrike.
Në Gjutaj të njësisë administrative Topojan është djegur transformatori.
I njëjti problem është edhe në fshatin Gdheshtë të njësisë administrative Malzi. Ndërprerje të herëpashershme ka edhe në disa fshatra në Kukës Has e Tropojë për të cilat grupet e punës të OSHË janë në terren për riparimin e defekteve.


