Rikonstruktohet Biblioteka Nr.4, do të mbajë emrin e gjuhëtarit Petro Zheji

schedule13:38 - 25 Mars, 2018

schedule 13:38 - 25 Mars, 2018

Pesë muaj më parë ishte një ngrehinë e rrënuar, e rrethuar me ferra, të cilën banorët e njësisë 9 e kishin harruar se dikur kishte qenë edhe bibliotekë. Por, falë investimit të Bashkisë së Tiranës, Biblioteka Nr. 4 në kryeqytet, e cila do të mbajë emrin e gjuhëtarit dhe përkthyesit të njohur shqiptar, Petro Zheji, është shndërruar në një vatër të bukur leximi dhe një hapësirë moderne për komunitetin. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se pas rikonstruksionit biblioteka do jetë një shtysë e madhe për të rinjtë që duan t’i kthehen leximit.

“Mbaj mend ditën e parë kur erdhëm këtu, ishte mbuluar me ferra, shkurre, tokë e xanun këtu, tokë e xanun atje, një gur, karrige, arka, bidona! Ky është proces. Është si të qërosh orizin, kokërr më kokërr. Pra, nuk është diçka që bëhet duke ndenjur në kafe dhe duke dhënë mend, por vjen duke çliruar territorin hap pas hapi. Sot besoj që kemi çliruar një territor të rëndësishëm, një hapësirë që kishte degraduar, që vetëm emrin kishte bibliotekë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se investimi te bibliotekat është investim për dijen dhe për të ardhmen. “Sot është një ditë e mirë për Tiranën, është një ditë e bukur sepse besoj që civilizimi që ne i përkasim, ai i librave, i dijes, i shkrimtarëve, i njerëzve të mençur, ka përparuar ndaj asaj racës tjetër, të bingove, lotove, basteve, të logjeve. Për gjitha këto arsye duhet të këmbëngulim që civilizimi që përfaqësojmë, i librave, i dijes, i të qenit konstruktiv, pozitiv, i të qenit me energji të mirë, duhet ta fitojë luftën me industrinë e basteve, lotove”, tha ai.

Veliaj theksoi se sfida e shoqërisë së sotme, përfshi edhe institucionet shtetërore, është të heqë fëmijët nga pajisjet teknologjike dhe ti kthejë ata te libri, si e vetmja garanci për një të ardhme të sigurt nesër. E për t’i dhënë më shumë jetë nismës për rijetësimin e bibliotekave të Tiranës, ai shtoi se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë një fushatë që synon të sjellë sa më shumë libra në këto biblioteka. Fushata e pemëve do të mbyllet në 22 prill dhe menjëherë pas saj do të nisë fushata e librave, për t’i kërkuar çdo botuesi, çdo personi privat ose publik, të dhurojë libra për 8 bibliotekat e reja të Tiranës.

Ai njoftoi se Bashkia e Tiranës do të hapë një konkurs se si qytetarët dhe lexuesit do duan t’i emërtojnë bibliotekat e reja. “Ka disa shkrimtarë që kanë ndërruar jetë vitet e fundit, të cilët duam t’i përjetësojmë me emrin e një biblioteke. Ndaj, do të hapim një konkurs për të marrë propozime nga lexuesit. Kush ka një ide, dikush që e ka frymëzuar, që i ka ndryshuar jetën, por që sot si shkrimtar shqiptar nuk jeton më, të na e thotë që ta përjetësojmë me emërtimin e një biblioteke”, u shpreh Veliaj.

Krahas rikonstruksionit total të godinës dhe mjediseve të brendshme, Biblioteka Nr.4 në Njësinë Administrative 9 është pasuruar edhe me një fond të ri prej më shumë se 600 librash. Kjo është bërë e mundur falë kontributit të Fondit të Librit të Rezervave të Shtetit, Shtëpisë Botuese “Idea Art”, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe z. Luan Kurti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!