Rihapet Kalaja e Tiranës

schedule16:39 - 22 Dhjetor, 2018

schedule 16:39 - 22 Dhjetor, 2018

Kalaja e Tiranës është kthyer në një tjetër hapësirë për turizëm. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi këtë një histori sukesi, ndërsa deklaroi se ata që luftuan projektin duhet të vijnë ta shohin.

Kalaja e Tiranës ka rihapur dyert për qytetarët dhe turistët. Në këtë hapësirë ku e vjetra ndërthuret me modernen tashmë mund të gjesh mozaike, restorante tradicionale dhe dyqane suveniresh. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, vizituan mjediset e rehabilituara të Kalasë.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Jam i sigurt se do të kthehet në një destinacion, do të jetë ndoshta një nga vendet më të vizituara. Nëse vazhdojmë me këtë frymë, ku përtej ndasive themi – a ka disa gjëra që biem dakord, se si mund të ecim përpara – jam i bindur se edhe skeptikët, edhe ata që e luftuan këtë projekt e çfarë nuk sajuan, duhet të vijnë ta shohin. Duhet të kuptojnë se si ne shqiptarët, sa zihemi e grindemi, aq edhe bëjmë gjëra të mrekullueshme kur vendosim të bashkëpunojmë dhe kur vendosim të ecim përpara për ta zhvilluar këtë qytet”.

Rehabilitimi i zonës së Kalasë së Tiranës sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë një impakt pozitiv në ekonominë e qytetit, duke hapur vende të reja pune. Për ta bërë më të aksesueshme këtë zonë Veliaj tregoi se do të ndërtohet edhe një rrugë e re per këmbësorët që do të lidhë këtë zonë me Unazën dhe rrugën e “Elbasanit”.

“Në fakt, edhe nga pedonalja “Murat Toptani”, por edhe nga Unaza, midis BKT-së dhe SHQUP-it, do të ketë një rrugicë; pra, do të thotë që njerëzit mund ta përshkojnë këtë hapësirë, edhe në një farë mënyrë për të gjithë ata që janë pedonale, dhe që ecin në këmbë do të lidhim dy cepa të qytetit, nuk ka më nevojë të dilni në bulevard ose rrugën “Xhorxh Bush”. Është edhe pak moment për të reflektuar për çfarë zihemi ne shqiptarët, për çfarë harxhojmë kohë, debate, për çfarë i hedhim duart në fyt njeri-tjetrit, për çfarë u vëmë njerëzve stërkëmbësha, për parti. Në vitin 2018 zihemi për ideal të partisë – ky i kuq, Toptanët blu, këta kështu, ata ashtu. A ia vlen që të sillemi si tifozë histerikë për parti, që njëherë në katër vjet votojmë kush e bën më mirë këtë punë dhe a është sot koha që të bashkohemi si tirons, si shqiptarë, si europianë për të thënë: Po bën një gjë të mirë, o burra ta ndihmojmë të gjithë sepse duke siguruar një hapësirë këtu ku ka ekonomi, ku lëvizin paratë, ku punësohen njerëz, ku paguhen taksa, ku merr vlerë prona, i gjithë qyteti bëhet më i mirë”.

Me përfundimin e rehabilitimit të Kalasë do të nisë puna për rregullimin e pedonales “Murat Toptani”. Këtë investim Bashkia e Tiranës e ka parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!