Sulmuesi i Fiorentinës, Franck Ribery, ka falënderuar ditën e sotme mikun e tij Sebastien Frey për mbështetjen që i ka dhënë ditët e fundit. Kujtojmë se ditën e diel, hajdutët bastisën shtëpinë e veteranit francez. Në lajme u raportua se ai nuk ndihej më i sigurt në Firence dhe që do të largohej nga Seria A.
Ish-gardiani i Fiorentinës deklaroi se francezi është një hero për qytetin dhe nuk mund ta konsiderojnë si tradhtar. Frey i doli në mbrojtje 36-vjeçarit pas reagimit të ultrasve të ekipit dhe tashmë ishte radha e Franck për t’i kthyer mesazhin.
”Vëllai im të falënderoj shumë. Ti më njeh mua, më njeh se nga vij dhe e di shumë mirë se nuk jam nga ata që kundërpërgjigjem. Unë bëj atë që them. Mendoj se tifozët janë me mua dhe më duan në ekip. Pjesa tjetër nuk më intereson shumë. Unë kam ardhur këtu për Fiorentinën e vërtetë. Viola përgjithmonë”, mbyll mesazhin e tij Ribery. /abcnews.al