Vatrat e zjarrit në zonën torfike të fushës së Maliqit janë riaktivizuar këtë të diel.
Gazetari i ABC News, Roland Beqiraj raporton se zjarri ka përfshirë rreth 70 hektarë kashtë, grurë i korrur.
Tre mjete të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë së Maliqit janë në terren për të izoluar flakët e zjarrit që të mos përhapen më tej në sipërfaqet ku gruri është korrur. Jozyrtarisht, raportohet se shkak janë bërë temperaturat e larta që kanë ndikuar në ndezjen e zonës torfike duke përfshirë kështu një sipërfaqe kaq të madhe.
Zjarrfikësit e kanë tejet të vështirë për të punuar në një terren të tillë edhe për shkak të vështirësisë që sjell era. Sipas banorëve, një zjarr i tillë në fushën e Maliqit nuk është parë herët e tjera
Situata në fushën e Maliqit edhe për shkak të erës së fortë është rënduar së tepërmi. Në disa zona ka dalë jashtë kontrollit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shërbimit të njësisë administrative Vreshtas.
Administratori Cezar Bezati thotë për ABC News se është e pamundur në situatë të tillë t’i afrohesh vatrave të mëdha të zjarrit, madje punonjësit e shërbimit zjarrfikes janë në vështirësi të madhe, pasi tymi dhe flakët rrezikojnë se tepërmi jetën e tyre. Ka patur raste që punojësit janë rrethuar nga vatrat e zjarrit duke e bërë të vështirë daljen e tyre në situata të tilla.
Kërkohet ndërhyrje e mjeteve të tjera të zjarrfikësve të Korçës e Pogradecit pasi situata edhe për shkak të erës ka marrë përmasa të mëdha tanimë./abcnews.al