Nga Hergi Llupi
Janë mbyllur sfidat e top ligave kryesore të Evropës, ku gjithashtu ka pasur edhe disa befasi në rezultate.
Në Serie A, në Itali, Interi nisi raundin e 26-të të premten në mbrëmje, në një përballje me Spezian në shtëpinë e këtyre të fundit. Befasi e madhe për ekipin zikaltër, pasi ata humbën me rezultatin 2-1. Një sfidë e dominuar totalisht nga zikaltërit, por që fitoren në fund e mori ekipi i Spezias, pikërisht në “frymën e fundit”. Në pjesën e parë Lautaro humbi një 11-metërsh, një mundësi e shpërdoruar për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Pjesa e dytë pati surpriza, pasi në minutën e 55-të, ishte Maldini i cili kaloi në avantazh Spezian me një gol mjaft të bukur. Interi arriti të gjente golin e barazimit në minutën e 83-të, pasi Dumfries fitoi një penallti e cila u kthye në gol nga Lukaku. Por, 4 minuta më vonë, në minutën e 87-të, ishte përsëri Dumfries protagonist, këtë herë për keq, duke shkaktuar një faull brenda zonës dhe Nzola shënon me 11-metërsh golin e fitores. Një zhgënjim i madh për Inzaghin dhe ekipin e tij.
Napoli vazhdon rrugëtimin e tij drejt trofeut të ligës, ku madje tashmë mund të thuhet se ka nisur numërimi mbrapsht për t’u shpallur fitues, pasi edhe distanca e krijuar nga të kaltërit e Spallettit është e madhe. Ata mposhtën në “Maradona Stadium” Atalantën me rezultatin e pastër 2-0. Autorët e golave ishin Rrahmani, mbrojtësi kosovar, dhe i përhershmi Kvaratskhelia me një supergol.
Juventus fitoi me poker ndaj Sampdorias, me një rezultat 4-2 brenda në shtëpi. Ekipi i Allegrit ishte mjaft në formë dhe me moral të plotë. Roma u befasua në Olimpiko, pasi u mposht me rezultatin 3-4 ndaj Sassuolos. Kumbulla ishte ai që la skuadrën e tij me 10 lojtarë, pas një veprimi aspak sportiv gjatë pjesës së parë. Ndërsa sot në mbrëmje, Milan do të mbyllë raundin e 26-të, pasi në San Siro kuqezinjtë do të presin Salernitanën.
Në Angli, pati një rezultat befasues. Liverpool u mposht me rezultatin 1-0 ndaj Bournemouth në transfertë. Të kuqtë e Klopp vazhdojnë zhytjen në renditje, pasi aktualisht nodhen jashtë zonës së Evropës, pra në vendin e gjashtë. Nëse kjo formë vazhdon, mund të thuhet me plot gojë se Liverpool rrezikon kualifikimin për në turnet evropiane sezonin e ardhshëm. Manchester United u ndal në barazim në shtëpi, me një rezultat 0-0 ndaj Southampton. City fitoi minimalisht ndaj Crystal Palace, ndërsa Arsenal dhe Chelsea fituan me nga 3 gola të shënuar, për “topçinjtë” një fitore ndaj Fulham, ndërsa Chelsea ndaj Leicester.
Në Spanjë, Barcelona dhe Real Madrid morën tre pikë me vlerë. Katalanasit fituan në transfertë minimalisht ndaj Bilbaos, ndërsa “Los Blancos” me rezultatin 3-1 ndaj Espanyol. Lufta për vendin e parë vazhdon ende, me Barcelonën që aktualisht ruan ende kreun me 65 pikë, ndërsa Real Madrid në vendin e dytë me 56 pikë. Ndeshja e fundit e këtij raundi do të luhet sot në mbrëmje mes Girona dhe Atletico Madrid.
Bundesliga pati disa sfida interesante këtë fundjavë, ku më shumë vihet re barazimi i Dortmund dhe fitorja e mrekullueshme e Bayern Munich. Borussia Dortmund mori vetëm një pikë ndaj Schalke 04, me rezultatin 2-2. Nga ana tjetër, Bayern Munich mori tre pikë të bukura në sfidën ndaj Ausburgut. Edhe pse u duk sikur miqtë ishin superiorë pasi që në minutën e tretë kaluan në avantazh falë Mergim Berishës, por më pas, vetëm në pjesën e parë, bavarezët shënuan katër herë duke i mbyllur 45 minutat e para në rezultatin 4-1. Ndeshja më pas përfundoi me rezultatin 5-3, ku Berisha shënoi edhe një herë tjetër me anë të 11-metërshit.
Në Superiore, në futbollin shqiptar, është mbyllur raundi i 25-të. Të premten janë luajtur tre sfidat e para të kësaj jave. Kukësi ka fituar sfidën në shtëpi përballë Bylisit me rezultatin 2-0. Të dy golat nga verilindorët u shënuan në pjesën e dytë, përkatësisht në minutën e 66-të dhe në të 80-tën. Tre pikët për Kukësin ishin shumë me vlerë, pasi ata ndodhen tashmë në vendin e gjashtë me 34 pikë dhe vendet për në Evropë janë më afër, ndërsa Bylisi ndodhet në vendin e parafundit me 27 pikë.
Kastrioti nga ana tjetër ka marrë një barazim ndaj Teutës me rezultatin 0-0. Për vendasit ky është një rezultat negativ pasi ata ndodhen në vendin e fundit të tabelës me 24 pikë.
Sfida interesante e së premtes ishte ajo mes Erzenit dhe Egnatias, me vendasit që fituan ndaj rrogozhinasve me rezultatin 2-1. Egnatia ndodhet aktualisht në vendin e tretë me 37 pikë, por një fitore do t’i çonte ata shumë pranë kreut, gjë të cilën nuk ia arritën. Erzeni me tre pikët e fituara renditet tashmë në vendin e pestë me 36 pikë.
Vllaznia dhe Partizani janë ndarë në paqe në Shkodër, pasi rezultati përfundimtar ishte 1-1. Ky barazim ka bërë që tashmë “demat” të jenë në vendin e dytë me 2 pikë pas kreut, ndërsa Vllaznia në vendin e katërt me 37 pikë, po aq sa Egnatia.
Tirana kryesuese nuk ka gabuar ndaj Laçit duke lënë pas derbin dhe duke marrë një fitore me peshë dhe jo fortë të lehtë. Bardheblutë fitoan me rezultatin e ngushtë 3-2 ndaj kurbinasve. Tirana ruan kreun me 43 pikë, ndërsa Laçi në vendin e tetë me 30 pikë./ h.ll/abcnews.al