Nga Hergi Llupi
Janë mbyllur pjesa më e madhe e sfidave të ligave kryesore të fundjavës, ku ka pasur tepër surpriza.
Të premten, më datë 3 mars, Serie A ka startuar me sfidën Napoli-Lazio, me “shqiponjat” e kryeqytetit të cilët befasuan Napolin kryesues duke i shkaktuar humbjen e dytë në kampionat. Ka mjaftuar vetëm goli i Vecinos, i cili ishte i jashtëzakonshëm nga distanca, për të marrë tre pikët në shtëpi për Lazion dhe për t’i shkaktuar humbjen e dytë të sezonit Napolit, edhe pse kjo humbje për skuadrën e Spallettit nuk ndikon shumë duke marrë parasysh distancën që ka krijuar nga rivalët. Milan gjithashtu ka zhgënjyer duke u mposhtur në Firence ndaj Fiorentinës me rezultatin 2-1. Një hap fals për kuqezinjtë dhe tre pikët e humbura bëjnë që të rrezikohet shumë vendi në kupat evropiane sezonin e ardhshëm. Inter arriti të merrte një fitore ditën e djeshme në shtëpi ndaj Leçes, me golat e Mkhytarian dhe Lautaros të cilët i dhanë tre pikë të rëndësishme pas asaj humbjeje befasuese javën e kaluar nga Bologna. Në mbrëmje, Roma ka mposhtur në shtëpi Juventusin me rezultatin 1-0. Sot do të luhen dy sfidat e fundit të raundit, me Sassuolon që do të përballet ndaj Cremoneses dhe Torino ndaj Bologna.
Premier League ka dhuruar spektakël këtë fundjavë. City ka marrë një fitore me peshë ndaj Newcastle me rezultatin 2-0, duke shpresuar që Arsenal të bënte një hap fals, por nuk ndodhi kështu. “Topçinjtë” arritën të merrnin një fitore me përmbysje ndaj Bournemouth me rezultatin 3-2, duke vazhduar ruajtjen e kreut. Chelsea më në fund merr një fitore edhe pse me një rezultat minimal ndaj Leeds në “Stamford Bridge”. Perla ishte ndeshja e djeshme mes Liverpoolit dhe Manchester United. Të kuqtë e Jurgen Klopp shkatërruan në “Anfield Road” ekipin e Ten Hag me rezultatin turpërues 7-0. Sot në mbrëmje do të luhet ndeshja e fundit e ligës mes Brentford dhe Fulham.
Raundi i 24-të në La Liga ka qenë tepër interesant për të gjitha ekipet pothuajse. Atletico Madrid shkatërroi në shtëpi Sevillan me rezultatin e thellë 6-1. Barcelona nga ana tjetër mori një fitore të vuajtur me 10 lojtarë ndaj Valencias me rezultatin 1-0. Real Madrid në mbrëmje arriti të dilte vetëm me një barazim pa gola nga shtëpia e Betisit. Sfida e fundit do të luhet sot në mbrëmje mes Osasunës dhe Celta Vigos.
Bundesliga e mbylli raundin e 23-të, ku dy skuadrat pretendente morën nga një fitore. Dortmund fitoi 2-1 në shtëpi ndaj Leipzig, ndërsa Bayern Munich në transfertë me rezultatin 1-2 ndaj Stuttgart. Ndeshje e bukur mes Wolfsburg dhe Frankfurt e cila përfundoi në brazimin 2-2 dhe Leverkusen që fiton me poker ndaj Herthës me rezultatin 4-1.
Në Francë, PSG fitoi bindshëm 4-2 ndaj Nantes. Monaco nuk arriti të dilte më shumë se një barazim 2-2 ndaj Troyes, Marseille fitoi minimalisht ndaj Rennes dhe Lyon nuk mundi të fitonte duke barazuar pa gola ndaj Lorient.
Superliga jonë shqiptare a Egnatian të merrte një fitore tepër të rëndësishme ndaj Kastriotit 4-1, duke u renditur kështu aktualisht në vendin e dytë. Bylisi dhe Erzeni u ndanë në paqe me rezultatin 1-1. Sot do të luhen tre sfidat e radhës, ku spikat superderbi kryeqytetas në orën 19:00, në “Air Albania” mes Partizanit dhe Tiranës./ h.ll/abcnews.al