“Revansh” kuqezi/ Shqipëria kalon lehtësisht Andorrën, Manaj dhe Uzuni vulosin fitoren e Kombëtares

schedule22:39 - 24 Mars, 2025

schedule 22:39 - 24 Mars, 2025

TIRANË- Mos vallë vërtet Botërori për ne nisi këtë të hënë? Shqipëria humbi atë ndeshje që pritej ta humbiste në “Wembley” ndaj Anglisë, dhe mori tri pikët madje me golavarazh në sfidën që mendohej e që duhej fituar, kundër Andorrës.

Në dy sfidat e parë nuk u morën 4 pikë aq sa pretendoi trajneri Silvinjo, por edhe tre nuk janë keq, sidomos kur llogarit që një përballje e patëm në fushën e skuadrës më të fortë të grupit tonë eliminator.

Dominimi në “Arenën Kombëtare” ndaj ekipit tepër modest ishte I plotë, edhe pse u duk se kuqezinjtë bënë shumë akademi.

Rej Manaj ishte heroi, duke u kthyer më në fund te goli me kombëtaren në një ndeshje zyrtare pas gati 4 viteve.

I pari, në 9’ pas goditjes së dënimit të Asllanit, dhe pastaj në 19 pas aksionit të shkëlqyer dhe më në fund altruist të Brojës.

Gjithsesi, kombëtarja sikur nuk pati oreks për më shumë, një shenjë jo e mirë në një grup ku mund të vendosë edhe golavarazhi.

Përtej 85 për qind mbajtjeje të topit dhe gjuajtjeve 10-0 apo atyre në portë 4-0, maksimumi nuk u mor.

Për fat, që Myrto Uzuni shënoi në minutën e tretë shtesë, pas një aksioni të papritur rrufe. Silvinjo bëri këtë herë një ndryshim në mesfushë, me Julian Shehun titullar në vend të Ramadanit, ndërsa sulmi pati “transfuzion” të plotë.

Në krahasim me Anglinë, u ul në stol e gjithë treshja ofensive dhe në vend të saj në terren ishin Hoxha e Broja në krahë, si dhe Manaj në qendër. Të paktën, në pjesën e parë kjo doli zgjedhja e duhur.

Tashmë, na pret sfida e jetës, ajo në Tiranë ndaj Serbisë, që cilësohet si rivali ynë kryesor për vendin e dytë në grup. Besohet, për t’ia dalë në këtë derbi ballkanas, do të duhet një Shqipëri edhe më e fortë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!