Erling Haaland konfirmoi që në debutim me Dortmundin se është një bomber i frikshëm dhe me të ardhme të ndritur. 19-vjeçari norvegjez debutoi në minutën e 56-të ndaj Augsburg dhe i mjaftuan tre minuta për të gjetur golin e parë me ekipin e ri.
Jo vetëm kaq, Haaland shënoi edhe dy gola të tjerë, ndihmoi verdhezinjtë të fitonin ndeshjen (3-5) dhe regjistroi një debutim përrallor. Marco Reus ka folur rreth shokut të ri të skuadrës dhe repartit.
“Haaland është një tip shumë i qetë, por në të njëjtën kohë edhe shumë ambicioz. Ai stërvitet shumë fort. Mendoj se djaloshi i fundit që ka debutuar në këtë mënyrë ka qenë Aubameyang, edhe ai shënoi 3 gola ndaj Augsburg. Do të isha shumë i lumtur nëse Haaland do të ndiqte gjurmët e tij. Erling po na impresionon dhe e ka nisur zjarr aventurën me ne“, thekson kapiteni i Borussia Dortmund. /abcnews.al