Borussia Dortmund i zhgënjeu mbrëmjen e djeshme tifozët, të cilët i kishin mbushur plot shkallët e ‘Signal Iduna Park’. Vendasit arritën një barazim 3-3 vetëm në minutat e fundit kundër Paderbornit të Klaus Gjasulës. Marco Reus, sulmuesi që shpëtoi verdhezinjtë nga humbja e turpshme, nuk është aspak i kënaqur dhe u kërkon falje tifozëve.
“Në emër të ekipit u kërkoj falje të gjithë tifozëve në stadium për performancën tonë. Ende nuk mund ta shpjegoj se çfarë na ndodhi në pjesën e parë. Luanim në shtëpi dhe ishim 0-3 për Paderbornin, turp për ne. Ishte një paraqitje muti, kjo nuk ka për të ndodhur më kurrë”, deklaron kapiteni i Dortmund.
Në fundin e takimit tifozët e vërshëllyen ekipin, duke e rritur dhe më shumë presionin ndaj trajnerit, Lucien Favre. Pas këtij barazimi, Dortmund ndodhet në vendin e pestë në renditje, por me një ndeshje më shumë dhe sot pritet të parakalohet nga shumë ekipi, duke humbur kështu kontaktet me kreun e tabelës së klasifikimit.
Lucien Favre, trajneri i Dortmund, u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes. “Ishte një pjesë e parë katastrofike për ne, pësuam tre gola dhe ishte e pabesueshme. E vetmja gjë pozitive ishte që dolëm 3-3. Do të bëjmë shumë analiza për atë që ndodhi me ne”, u shpreh tekniku i verdhezinjve. /abcnews.al