Në Kosovë është pezulluar mësimi në të gjithë shkollat e vendit. Shkak janë bërë përmbytjet në disa prej qyteteve kryesore. Minstrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoj se mësimi do të rifilloj të hënën e 12 janarit.
Drenasi, Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, janë komunat më të prekura nga vërshimet, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në Kosovë.
Në Gjakovë janë evakuuar mbi 20 familje, 20 të tjera në Drenas dhe dhjetra të tjera në Malishevë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.
“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente” shkruan Osmani në Facebook, ndërsa shtoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje “nëse paraqitet nevoja”.
Përmbytjet sollën edhe ndërprerjen e energjisë elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec. Në Drenas, uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.
6Përveç ndërprerjeve të energjisë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit, kryesisht në Mitrovicë. Në Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit. Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kreysore të përmbytjeve./abcnews.al


