Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur mëngjesin e kësaj të hëne po sjellin problematikat e para në rrethe të ndryshme të vendit.
Kështu, në disa lagje të Durrësit ka prezencë të madhe uji. Kjo gjendje është konstatuar në zonat periferike të qytetit bregdetar, ku rrugët janë mbuluar nga uji.
Në segmentet kryesore situata nuk paraqitet problematike përsa i përket ujit, por reshjet e shiut kanë krijuar vështirësitë në qarkullim, ku trafiku paraqitet i rënduar në nyjat kyçe të qytetit.
Në Fushë Mamurras, reshjet kanë sjellë problematikë pranë nënkalimit të autostradës. Një fenomen i përsëritur në këtë nënkalim është bllokimi i zgarave të kullimit. Prania e ujit në rrugë sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve, një pjesë e të cilave kanë ndryshuar drejtim, për shkak të vështirësissë së lëvizjes.
Nesë vijojnë me intensitet, reshjet mund të sjellin përmbytje si në të kaluarën.
Edhe në Gjirokastër ka një situatë të krijuar nga reshjet, pasi Përroi i Sopotit ka dalë nga shtrati. Mjetet e bashkisë po punojnë në terren për të normalizuar qarkullimin. Por prania e ujit në rrugë ka bërë që të izolohet lagjia Lenxat, ndërsa rrezik ka edhe për lagje të tjera nëse reshjet vazhdojnë./abcnews.al