Reshjet e borës në Dibër, banorët pastrojnë rrugët dhe riparojnë defektet energjetike

schedule10:16 - 23 Mars, 2021

schedule 10:16 - 23 Mars, 2021

Përmirësohet ndjeshëm situata në Qarkun e Dibrës. Kjo falë vetë banorëve që janë mobilizuar dhe kanë hapur rrugët vetë me mjetet e tyre, fadroma private, traktorë, dhe Fuoristrada me zinxhirë.

Ditën e sotme mbeten ende të bllokuara rrugët e njësive administrative, Lurë, Selishte, Luzni, Kala e Dodës dhe  fshatrave të thella të Melanit, Zall Dardhës etj.

Vështirësisë së dëborës i shtohet edhe mungesa prej 48 orësh e energjisë elektrike.

Ka munguar energjia në të gjitha njësitë administrative dhe pjesën më të madhe të qytetit. Shkak është bërë ngarkesa e telave me dëborë, pasi nga pesha janë rrëzuar pemë dhe shtylla, janë këputur telat përçues.

OSHE nuk ka mundur tu përgjigjet në kohë defekteve duke lënë pa energji pothuajse gjithë Dibrën.

Banorët janë mobilizuar vetë vullnetarisht për të riparuar defektet, apo duke ngritur shtyllat.

Situatë e njëjtë është edhe në rrethin e Bulqizës, ku shfaqet e njëjta panoramë. Firmat kontraktore nuk kanë as mjete dhe as kripë për të ndërhyrë në rrugët e njësive administrative dhe fshatrave.

Banorët hapin rrugët vetë, riparojnë telat vetë dhe rregullojnë shtyllat po vetë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!