Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, njoftoi të dielën se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Jam i sigurt se njerëzit duan udhëheqës që duan më të mirën e Amerikës”, tha zoti Hutchinson në një intervistë të transmetuar të dielën për programin “This Week” të televizionit ABC. Ai tha se do ta bënte njoftimin zyrtar për shpalljen e kandidaturës në muajin prill në Arkansas.
“Kam marrë një vendim dhe vendimi im është që do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
72-vjeçari Asa Hutchinson la detyrën në janar, pas tetë vjetësh si guvernator. Ai ka shtuar kritikat e tij ndaj ish-presidentit muajt e fundit, duke e cilësuar rikandidimin e zotit Trump si “skenarin më të keq” për republikanët dhe duke u shprehur se kandidimi i tij ka të ngjarë të shtojë shanset për fitoren e Presidentit Joe Biden në vitin 2024.
Përveç zotit Trump, kandidaturën për president nga radhët e republikanëve e ka shpallur edhe ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Nikki Haley dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis pritet të hyjë në garë gjatë verës, ndërsa Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, janë gjithashtu kandidatë të mundshëm.
Zoti Hutchinson, i cili pati një mandat të kufizuar, ka qenë pjese e politikës në shtetin e Arkansasit që nga vitet 1980, kur shteti anonte nga dekomokratët.
Gjatë kohës që sherbeu në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Hutchinson ishte një nga menaxherët në procesin për shkarkimin nga detyra të Presidentit Bill Clinton. Zoti Hutchinson ka shërbyer si nënsekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të Presidentit Xhorxhe Bush.
Si guvernator ai mbrojti shkurtimin e taksave mbi të ardhurat.
Ai nënshkroi disa ligje për kufizimin e abortit, duke përfshirë një ndalim të procedurës që hyri në fuqi vitin e kaluar, kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara rrëzoi atë që njihej si rasti “Roe kundër Wade”.
Vendimi historik i vitit 1973 “Roe kundër Wade” përcaktonte se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatëzaninë në gjashtë muajt e parë, kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.
Zoti Hutchinson, megjithatë, ka thënë se i vjen keq që ligji nuk përfshin përjashtime për rastet e përdhunimit ose inçestit.
Vitin e kaluar zoti Hutchinson u përball me zemërimin e zotit Trump dhe një pjesë të republikanëve kur vuri veton ndaj legjislacionit që ndalonte trajtimin mjekësor për fëmijët që duan të ndryshojnë gjini.
Për shkak të vetos, ish-Presidenti Trump e quajti zotin Hutchinson një “RINO”, “gjoja republikan” .
Megjithëse ish-guvernatori ka mbështetur politikat e zoti Trump, ai është bërë gjithnjë e më kritik ndaj retorikës së ish-presidentit dhe pretendimeve për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai tha se thirrja e zotit Trump për të anashkaluar disa pjesë të Kushtetutës për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, e dëmtoi vendin.
Zoti Hutchinson zemëroi kundërshtarët e dënimit me vdekje në vitin 2017, kur urdhëroi tetë ekzekutime gjatë një periudhe dy-javore. Shteti përfundimisht kreu katër ekzekutime.
Ish-guvernatori njihet më shumë për artin e të folurit sesa për fjalimet e zjarrta. Në vend që të kundërshtojë kritikët në rrjetin Twitter, ai poston vargje biblike çdo të dielë në mëngjes./VOA