Republikanët janë takuar me presidentin amerikan Donald Trump. Ata kanë diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e rëndë në kufi me Meksikën. Republikanët kanë kërkuar t’i jepet fund ndarjes së familjeve të emigrantëve.
Pas videos me të qara të fëmijëve emigrant, të ndarë nga prindërit dhe të mbyllur në qëndrat e ndalimit, republikanët në Senat nxitojnë të gjejnë një zgjidhje, në tentativë për të shmangur një krizë politike. Ata janë angazhuar në aprovimin e normave që i japin fund ndarjes së familjeve të emigrantëve të urdhëruar nga Donald Trump për ata që hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Zhvillimet janë pritur mirë nga presidenti amerikan i cili është shprehur i gatshëm të aprovojë një projektligj që zgjidh këtë çështje.
“Të gjithë anëtarët e konferencës republikane mbështesin një plan që mban familjet e bashkuara”, konfirmon lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConell, i cili kërkon edhe rishikimin e shpejtë të kërkesës për azil. Por gatishmëria e partisë së vjetër është kundërshtuar nga demokratët, me Chuck Schumet që nënvizon se është e pakuptimtë të vazhdohet në këtë rrugë kur Trump mund të ndryshojë gjërat duke përdorur fuqinë e tij ekzekutive.
Lidhur me polemikat dhe kritikat ndaj politikës së “tolerancës zero”, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka takuar liderët republikanë në Kongres. Presidenti amerikan po nxit një projektligj që zgjidh çështjen e programit “Dreamer” dh eta familjeve të emigrantëve të paligjshëm të ndarë në kufi. Në një takim me dyer të mbyllura, Trump i ka kërkuar republikanëve të Dhomës së Deputetëve një masë të përkohëshme, duke siguruar se do ta aprovojë. “Jam 1000% me ju”, është shprehur presidenti amerikan sipas asaj që raportojnë mediat. “Duhet të merremi me ndarjet e fmailjeve. Fëmijët të cilët qajnë nuk bëjnë mirë nga pikëpamja politike”, ka thënë Trump sipas asaj që raporton CNN. Megjithë këto përpjekje ekziston edhe mundësia që projektligjet të mos aprovohen në Senat për shkak të paqartësisë së votave. /abcnews.al