“Republika e tronditur në themele”, Meta: Këta duan të përzënë shqiptarët e të sjellin njerëz nga Bangladeshi

schedule22:19 - 1 Prill, 2021

schedule 22:19 - 1 Prill, 2021

Që sot iki nga presidenca nëse Shqipëria është në duar të mira. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë kreu i shtetit mbrëmjen e së enjtes në “Log” me Endri Xhafon.

Megjithatë, Ilir Meta shtoi se duke qenë se sot vendi është në duart e “atyre që nxisin shpopullimin”, kjo nuk ka për të ndodhur.

“Sot iki nga presidenca nëse Shqipëria është në duart të mira. Por duke qenë president, t’ia dhuroj vendin armiqve të Shqipërisë? Ata që nxisin shpopullimin, ata që paguajnë për deklarata, tjetër thotë Venecia tjetër del…”

Ndërsa, për daljen e opozitës nga parlamenti, kreu i shtetit theksoi se i kishte thënë bashkëshortes së tij dhe njëherësh kryetares së LSI-së që të mos e digjte mandatit. Ai shtoi se s’ka qenë kurrë për bojkotimin e institucioneve.

“Aeroportin e kaluan për një ditë kurse për një borëpastruese u deshën dy ditë, ama për një ligj sipas qejfit, një ditë u desh. Përgjegjësia është e atij që provokoi opozitën, edhe e atyre që ikën.”

Gjithashtu, Meta sqaroi se ai nuk është për rotacion në këto zgjedhje, pro për një përmbysje demokratike, për një përmbysje të sistemit.

“Në demokraci duhet të luftosh në mënyrë demokratike deri në fund. Reforma në Drejtësi është vetëm ajo që është votuar me 140 vota. Ata që e kanë shkelur do dënohen. Republika është tronditur në themelet e saj, te zgjedhjet. Zgjedhjet janë në agresion nga të gjithë ata, që duan të përzënë shqiptarët nga Shqipëria, për të sjellë njerëz nga Bangladeshi. Ne nuk do e lëmë vendin tonë në dorë të mafies ndërkombëtare. Në 25 prill, do ketë përmbysje demokratike, sepse kanë rënë të gjithë sistemit në vend. Unë nuk jam thjesht për rotacion, por për përmbysje demokratike.”

Sa i përket njerëzve nga Bangladeshi, kujtojmë se kryeministri nga Shkodra i sugjeroi një pronari fasonerie që të merrte punëtorë të huaj nga Bangladeshi, Afganistani dhe India, pasi sipërmarrësi u ankua se nuk kishte fuqi punëtore. Gjithashtu Rama shtoi se të huajt, “janë pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme”.

Këto deklarata të Ramës u pasuan nga kritika të shumta, përfshirë këtu edhe nga deputeti socialist Ditmir Bushati i lënë jashtë listës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit. Në një postim në Facebook, ish-ministri i kujtoi kryetarit të partisë së tij, përgjegjësinë për ekonominë dhe modelin zhvillimor të vendit në 8 vitet e qeverisjes. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!