Zv/ ministrja e brendshme Rovena Voda ka qenë e ftuar mbrëmjen e sotme në “Byro Politike” me gazetaren Juli Xhokaxhi.
Voda deklaroi se është arritur zbulimi i grabitjes në banesë dhe plagosjes së çiftit në Allias, dhe se shumë shpejt do të njoftohet edhe emri i autorit.
“Për grabitjen e Alliasit, është zbuluar dhe shumë shpejt do të keni emrin e autorit. Kemi vrasjen e Tropojës dhe Rrëshenit ende pa u zbuluar, shumë shpejt do të kemi rezultate sepse grupet hetimore me ekspertë shumë të mirë, po punojnë për zbardhjen e këtyre dy ngjarjeve. Dua t’ju them që numri i vrasjeve, në vitet 2018 dhe 2019 janë vite me numrin në ulje të vrasjeve”, deklaroi Voda.
Më tej Voda tha se sipas statistikave, krimi në Shqipëri ka ardhur duke u ulur, por me këtë deklaratë të Zv/ministres Voda, nuk ka qenë dakord ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka.
Noka tha se Ministri aktual i Brendshëm fsheh vrasjet dhe statistikat.
“Gjatë gjithë kohës ministria juaj e brendshme është përpjekur ta fshehë të vërtetën. Qasja ndaj të vërtetës dhe ndaj realitetit është krejt tjetër. Ju mendoni se duke u fshehur statistikat do fshihni të vërtetën. Perceptimin popullor nuk mund ta fshihni”, tha Noka./abcnews.al