Rënia e Facebook, më e rënda në histori

schedule13:25 - 14 Mars, 2019

schedule 13:25 - 14 Mars, 2019

Facebook vijon të ketë ende probleme për një pjesë të përdoruesve. Prej më shumë se 14 orësh ndërprerja e të gjitha shërbimeve, e bëri të pa aksesueshëm në mbarë globin.

Të prekur janë rrjeti kryesor social i kompanisë, (Facebook), dy aplikacionet e mesazheve (Facebook Messenger & WhatsApp) dhe Instagram. Deri më tani, vetë Facebook nuk ka asnjë shpjegim për shkaqet e kësaj rënieje.

Hera e fundit që Facebook pati një ndërprerje me magnitudë të tillë ishte në vitin 2008, kur kishte 150 milionë përdorues, krahasuar me 2.3 miliardë përdorues në muaj që ka sot.

Problemet nisën pasditen e së mërkurës dhe vetëm sot në mëngjes filloi të shfaqte shenja përmirësimi. Kjo rënie shkaktoi pamundësi për t’u futur dhe për të përdorur platformat më të përdorura në ditët e sotme për të komunikuar.

“Jemi në dijeni që disa njerëz nuk po munden të aksesojnë familjen e aplikacioneve të Facebook”, tha vetë kompania në një postim në Twitter. Ndërsa shtoi se “po punojmë për ta zgjidhur problemin sa më parë”.

Aplikacionet duket se rinisën të merrnin veten mëngjesin e kësaj të enjteje. Instagram njoftoi se ishte rikthyer.

Duke iu përgjigjur thashethemeve të postuara në rrjete të tjera sociale, kompania tha se kjo rënie nuk vinte si pasojë e DDoS, një lloj sulmi kibernetik që e tejmbush një shërbim të caktuar me volum tejet të lartë trafiku.

Por sa i përhapur ishte problemi?

Problemet nisën rreth orës 17:00 të së mërkurës. Teksa rrjeti social Facebook hapej, përdoruesit nisën të raportonin se e kishin të pamundur për të postuar.

Ata në Instagram nuk mund të bënin rifreskim (refresh) të postimeve, apo të bënin postime të reja. Versioni desktop i Facebook Messenger nuk hapej, megjithatë aplikacioni për telefonat dërgonte një pjesë të mesazheve, edhe pse disa përdorues raportuan se nuk u shkonin imazhe apo përmbajtje të tjera të mesazheve të tyre.

WhatsApp dhe aplikacione të tjera të mesazheve të Facebook kishin gjithashtu probleme të ngjashme.

Ndonëse për një pjesë të përdoruesve situata i është rikthyer normalitetit, pjesë të Europës dhe Azisë vijojnë të kenë probleme edhe paraditen e kësaj të enjteje.

Nëse këto probleme vijojnë, me gjasë ato do t’i kushtojnë shumë portofolit të Facebook. Kompania, e cila financon pjesën më të madhe të bizneseve të saj falë të ardhurave të reklamave, tha për Bloomberg se po shihte mundësinë e rimbursimit për reklamuesit.

Problemi preku gjithashtu Facebook Workplace, shërbimi që përdoret nga bizneset për të komunikuar brenda për brenda.

Rebecca Brooker, dizajner me vendndodhje në Buenos Aires, duke folur për BBC tha se ndërprerja e shërbimit po jepte një impakt domethënës në punën e firmës së saj.

“Facebook për përdorim personal është në rregull, por çfarë ndodh kur mbështetemi në kompani kaq të mëdha për të marrë shërbime biznesi?” tha ajo. “Po përpiqem të komunikoj me grupin  e punës në New York. Facebook Workplace është kanali jonë i vetëm për të komunikuar, me përjashtim të email-it”, shtoi më tej Brooker.

Kjo rënie masive e shërbimeve të gjigandit të teknologjisë vjen në një kohë kur disa ligjvënës amerikanë kanë hedhur idenë e ndarjes së kompanive të mëdha të teknologjisë.

Elizabeth Warren, e cila shpreson të jetë kandidate e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, duke folur për New York Times tha: “Duhet t’i japim fund kësaj gjenerate të kompanive të mëdha të teknologjisë që përdorin pushtetin e tyre politik për t’i vendosur rregullat në favorin e tyre dhe përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të blerë apo për të nxjerrë jashtë loje çdo konkurrent potencial”.

Në një postim në Twitter pasditen e së mërkurës, kur shërbimet e Facebook ranë, Brooker shtoi: “E shikoni çfarë ndodh kur lejojmë një kompani të vetme për të kontrolluar gjithçka”. //tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!