Naftëtarët e Ballshit janë sot në ditën e 11-të të grevës së urisë.
Situata e naftëtarëve të Ballshit që ndodhen në grevë prej 11 ditësh rrezikon të rëndohet së tepërmi nëse nuk reagohet.
Pas mungesës së një përgjigjeje nga autoritetet, ata kanë vendosur sot të marrin një vendim ekstrem.
Naftëtarët kanë mbyllur derën e ambienteve ku po zhvillojnë grevën dhe nuk do të lejojnë asnjë person që të futet brenda.
Gjatë ditës së sotme autoambulanca dhe mjekët janë paraqitur në ambientet ku ndodhen grevistët, për të kryer vizitat mjekësore, por ata nuk janë lejuar të hyjnë.
Siç shihet nga pamjet e siguruara nga abcnews.al, dera është mbyllur me kyç ndërsa nga brenda ambienteve të grevës askush nuk kthen përgjigje.
Duke parë neglizhencën e organeve të shtetit dhe kompanisë përgjegjëse janë shprehur se do të vetëflijohen për ta kuptuar se nga kjo grevë mund t’i nxjerrin vetëm me barelë.
Kryetari i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj deklaroi se, nga ky moment nuk do të pranohet asnjë shërbim shëndetësor madje nuk do të pranohet as media.
“Nuk ka asnjë reagim. Jemi të renduar. Këtu nuk ka show. Nga ky moment, nuk do të pranojmë më as shërbim shëndetësor, as media. Do të fikim telefonat, edhe ujin do ta ndërpresim. Do të kyçim dyert dhe do të dalim që këtu me barrela”, u shpreh Dautaj.
nd./abcnews.al