Rëndohet gjendja e pacienteve në spitalet rajonale të vendit

schedule14:18 - 26 Shkurt, 2021

schedule 14:18 - 26 Shkurt, 2021

Rëndohet gjendja shëndetësore e të shtruarve me covid në spitalin e Shkodrës.

3 pacientë të prekur me Covid ndodhen të intubuar në repartin e reanimacionit në Shkodër.

Pacientët e intubuar janë në gjendje të rëndë dhe për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Veç të intubuarve, 9 pacientë janë në terapi intensive po në reanimacion.  7 të infektuar të tjerë po marrin oksigjen pasi kanë dëmtime në mushkëri.

Nga ana tjetër situata mbetet shqetësuese edhe në Elbasan.

17 ka shkuar numri i të infektuarve që po marrin trajtim në këtë spital.

2 prej tyre janë në terapi intensive pasi mbrëmjen e djeshme kanë shfaqur probleme.

Pavioni me 81 shtretër në Elbasan i përshtatur për të prekurit nga virusi u hap vetëm 4 ditë më parë.

Nga dita në ditë po vërehet një numër në rritje i personave në gjendje të rëndë që kanë nevojë për shërbim në spital. Sakaq në Durrës është ulur numri i të shtruarve me Covid.

Aktualisht në këtë spital po marrin shërbim mjekësore 65 të infektuar. Rënia e shtrimeve lidhet me faktin se po përzgjidhen ata persona që kanë më shumë nevojë.

Burimet tregojnë se ditët e mëparshme në këtë spital janë shtruar dhe persona që kanë pasur nevojë për shërbim ambulatori.

Por në momentin që u tejkaluan kapacitetet, po pranohen vetëm ata në gjendje më të rëndë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!