Suedia iu afrua anëtarësimit në NATO pasi Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk miratoi protokollin për anëtarësimin e vendit skandinav në Aleancën Ushtarake.
Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, hoqi dorë nga kundërshtimi i tij për anëtarësimin e Suedisë, gjatë samitit të NATO-s në korrik, por iu deshën disa muaj për ta dërguar projektligjin në Parlament për ratifikim dhe javë që komisioni parlamentar të jepte pëlqimin.
Protokolli i vonuar prej kohësh tani duhet të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e plotë dhe mbetet për t’u parë se sa shpejt çështja do të dalë në votim.
Suedia dhe Finlanda braktisën neutralitetin e tyre prej dekadash dhe kërkuan anëtarësim në NATO mes shqetësimeve për sigurinë e tyre pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të 20220s. Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s në fillim të këtij viti, pasi Parlamenti i Turqisë ratifikoi anëtarësimin e saj.
Vonesa e Turqisë
Kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO buronte nga besimi i saj se vendi verior ka qenë shumë i butë ndaj mbështetësve të militantëve kurdë dhe grupeve të tjera në Suedi, që Ankaraja i sheh si kërcënime sigurie. Këto përfshijnë njerëz të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK, e cila ka zhvilluar një kryengritje 39-vjeçare në Turqi, dhe njerëz me lidhje të dyshuara me një përpjekje për grusht shtet në vitin 2016 kundër Qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Turqia, Suedia dhe Finlanda arritën një marrëveshje vitin e kaluar për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë dhe Suedia më pas ndërmori hapa për të forcuar ligjet e saj kundër terrorizmit, duke e bërë mbështetjen për organizatat ekstremiste të dënueshme deri në tetë vjet burgim.
Por një seri protestash anti-Turqi dhe anti-islame të mbajtura në Stokholm, disa prej të cilave përfshinin djegien e Kuranit, kanë zemëruar gjithashtu Qeverinë e Erdoganit dhe publikun turk. Megjithëse këto demonstrata u dënuan nga Qeveria suedeze, Qeveria turke kritikoi Suedinë – e cila ka ligje që mbrojnë lirinë e fjalës – për lejimin e shfaqjeve të ndjenjave anti-myslimane.
Tërheqja e Turqisë
Teksa Suedia forcoi ligjet e saj kundër terrorizmit për t’i trajtuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë, NATO-ja ra dakord të krijonte një koordinator të posaçëm për kundërterrorizmin dhe emëroi ndihmëssekretarin e përgjithshëm, Tom Goffus, në këtë pozicion.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar në takimin e Samitit të Aleancës në korrik se Suedia kishte rënë dakord “të mbështeste në mënyrë aktive përpjekjet për të rigjallëruar procesin e pranimit të Turqisë në BE”. Suedia njoftoi se do të kërkonte rregullime të përmirësuara doganore dhe do të merrte hapa për të zbatuar udhëtimin evropian pa viza për qytetarët turq.
Bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE u ndalën në vitin 2018, për shkak të prapambetjes demokratike të vendit dhe historisë së dobët për të drejtat e njeriut.
Në fillim të këtij muaji presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e lidhi hapur anëtarësimin e Suedisë në NATO me përpjekjet e Ankarasë për të blerë avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA-ja dhe gjithashtu u bëri thirrje Kanadasë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s që të heqin embargot e armëve ndaj Turqisë.
Gjatë debatit të së martës në komisionin parlamentar, ligjvënësi i opozitës Oguz Kaan Salici vuri në dyshim nëse Qeveria kishte marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me shitjen e F-16.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, mbështet kërkesën e Turqisë për F-16, por brenda Kongresit të SHBA-së ka një kundërshtim të fortë ndaj shitjes së armëve Turqisë. Turqia dëshiron të blejë 40 avionë të rinj luftarakë F-16 dhe komplete modernizimi për flotën e saj ekzistuese.
Çfarë do të ndodhë më pas?
Miratimi nga Komisioni parlamentar hap rrugën që protokolli i pranimit të Suedisë të debatohet dhe ratifikohet nga Asambleja e Përgjithshme. Më pas do të duhej të nënshkruhej nga Erdogani për të hyrë në fuqi.
Nuk ishte e qartë se kur Asambleja e plotë do të debatonte projektligjin.
Partia në pushtet e Erdoganit dhe aleatët e saj kanë një shumicë në Parlamentin prej 600 vendesh. Megjithatë, Erdogan ka thënë se vendimi u takon ligjvënësve. Aleatët nacionalistë të partisë së tij në pushtet mbeten të shqetësuar me anëtarësimin e Suedisë dhe akuzojnë anëtarët e NATO-s për indiferencë ndaj kërcënimit të PKK-së ndaj Turqisë.
Këtë javë militantët kurdë u përpoqën të depërtonin në një bazë turke në Irakun verior, duke vrarë 12 ushtarë në dy ditë përleshje.
Partitë islamike, të frustruara nga ajo që ata e perceptojnë si heshtja e vendeve perëndimore ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, mund të votojnë kundër projektligjit.
Refuzimi i Hungarisë
Partia qeverisëse e Hungarisë, Fidesz – e udhëhequr nga kryeministri populist Viktor Orban, i cili konsiderohet si një nga aleatët e vetëm të presidentit rus Vladimir Putin në BE – ka bllokuar kandidaturën e Suedisë në NATO që nga korriku 2022, duke pretenduar se politikanët suedezë kanë thënë “gënjeshtra” për gjendjen e demokracisë në Hungari.
Disa kritikë kanë pretenduar se Hungaria po përdor fuqinë e saj të mundshme të vetos mbi pranimin e Suedisë si mjet për të marrë koncesione nga Bashkimi Evropian, i cili ka ngrirë miliarda fonde për Budapestin për shqetësimet mbi të drejtat e pakicave dhe sundimin e ligjit.
Zyrtarët hungarezë kanë thënë vazhdimisht se vendi i tyre nuk do të jetë anëtari i fundit i NATO-s që do të mbështesë ofertën e Suedisë. Megjithatë, lëvizja e Ankarasë drejt ratifikimit sugjeron se koha për pengesa të mëtejshme mund të mbarojë.
Disa politikanë të opozitës në Hungari – të cilët kanë argumentuar për miratimin e menjëhershëm të ofertës së Suedisë – besojnë se partia e Orbanit po ndjek orarin e Ankarasë dhe do të votojë për ta miratuar pasi të duket e qartë se Turqia do të bëjë menjëherë të njëjtën gjë.