Rekordmene prej 40 vitesh në kërcim për së larti, Klodeta Gjini rrëfen fillimet si sportiste, karrierën dhe luftën me tumorin

schedule09:35 - 14 Prill, 2022

schedule 09:35 - 14 Prill, 2022

Atletja e njohur, Kloteda Gjini dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu detaje nga karriera e suksesshme shumë vjeçare. Ish atletja është thyese e rekordit që e mban dhe sot e kësaj dite që prej vitit 1989 për kërcim së larti në 1.92 metra.

Ajo u ndal te fillimet e angazhimit si sportiste kur profesori Petrit Qendro shkoi në shkollën “Vasil Shanto” në kërkim të vajzave të vogla për klasat e para sportive. Atë ditë, Klodeta ishte e sëmurë dhe nuk ishte në mësim por mësuesja kishte rekomanduar një vajzë të gjatë.

“Nuk është një kënaqësi sepse mendoj se me kohën gjërat duhet të përmirësohen dhe rekordi im duhet të kishte pasur një përmirësim. Rekordin e parë e kam vendosur duke përmirësuar rekordin e Marjeta Pronjari. Më pas për gati 9 vjet më radhë përmirësova përsëri rekordin.Rekordi i fundit është i 1989.”, tha ajo.

Mes të tjerash, rrëfeu dhe periudhën e vështirë kur zbuloi se ishte prekur nga tumori. “U transferova në Itali në vitin 1992 për një ndërhyrje në tendimin e akilit se kisha një traumë. Pasi bëra ndërhyrjen për tendimin, rifillova me aktivitetin fizik dhe garat kishin rezultate jo shumë të pëlqyeshëm.

Kisha probleme në mbajtjen e ngarkesave. Bëra kontrolle mjekësore për të kuptuar dhe nga viti 1993, zbulova se kisha një tumor në sistemin limfatik. Asokohe po përgatitesha për kampionatin evropian për salla të mbyllura në Paris. Ishte një ndalesë e karrierës dhe një moment i vështirë.“, tha ajo.

Ish atletja është bërë dhe temë në leksione në La Sapienza në Itali. Ajo përmendet si atletja, e cila edhe pse ka pësuar dëmtime të shumta fizike, nuk ka hequr dorë nga pasioni i saj.  /abcnews.al