Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar sërish për situatën e koronavirusit në vend.
Ditën e sotme Ministria raportoi rekord të viktimave nga koronavirusi, ku 17 pacientë humbën jetën.
Manastirliu i bën thirrje qytetarëve që të përdorin të vetmet armë që ne kemi në dispozicion, të mbajmë maskën, të ruajmë distancën dhe të kujdesemi për higjienën.
“Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të Covid-19. Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur”, shkruan Manastirliu në rrjetin social “Facebook”.
Statusi:
Sot në Shqipëri u shënua numri më i lartë ditor i viktimave nga COVID-19. Një fakt që reflekton shtimin e numrit të të infektuarve gjatë javëve të fundit.
Sot më shumë se kurrë, gjithsecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Armët që ka sot e gjithë bota janë zbatimi i tre rregullave:
-Maska,
-Distanca,
-Higjiena.
A po i zbatojmë ato, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit e dashur dhe për të treguar solidaritetin me autoritetet shëndetësore, në këtë luftë të paprecedentë për jetën?
Pyeteni veten ju lutem, çdo herë që dilni nga shtëpia: A jam duke i përdorur këto armë?
Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të Covid-19.
Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin që mundemi, duke mos kursyer asgjë nga kapacitetet tona, të cilat siç e dini, nuk janë të pafundme.
Por siç e kam përsëritur me dhjetëra herë: Përhapja e virusit nuk parandalohet në spitale. Atë e ka në dorë gjithësecili prej jush./abcnews.al/