NEW YORK– Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë intervistës në “Real Story”, komentoi zhvillimet politike dhe procesin zgjedhor në vend, duke vlerësuar pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime si dhe realizimin e votës së diasporës, të cilën e cilësoi një sukses të jashtëzakonshëm.
Në vijim, ai theksoi rëndësinë që institucionet zgjedhore të analizojnë dhe të marrin masa në përputhje me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare që certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri.
Në këtë qëndrim, Kreu i Shtetit i bën thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi dhe pa vonesa për të garantuar një proces zgjedhor sa më të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ai nuk komentoi qëndrimin e opozitës, e cila ka shfaqur qëndrim dualist sa i përket procesit zgjedhor, ku pavarësisht se shprehet se nuk i njeh zgjedhjet, ajo merr pjesë në institucione.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Z.President sigurisht opozita ka një qëndrim dualist sa i përket situatës politike në vend, nga një anë thotë nuk i njeh zgjedhjet, nga një anë tjetër merr pjesë në institucione. Ndërkohë z.Celibashi në daljen e tij të fundit i quajti zgjedhjet të denja për një vend kandidat në BE, e ndani mendimin e tij?
Presidenti i Bajram Begaj: Unë nuk mund të komentoj mbi deklaratat e askujt, as të z.Celibashi. Patjetër që mund të vlerësoj mbi procesin ligjor dhe procesi ligjor i zgjedhjeve ajo që unë konstatoj, është prezenca e shtuar e votuesve, numri i lartë i pjesëmarrjes e dyta, arritja dhe mundësimi i votës së diasporës, që ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Patjetër që, institucionet kompetente siç është komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, bashkë me KQZ duhet të analizojnë ato organizata që ne i kemi marrë si arbitër për të certifikuar zgjedhjet, siç është OSBE ODIHR dhe çdo konstatim i bërë nga ta duhet të reflektohet në zgjidhje. Zgjidhje të cilat duhet të adresohen menjëherë jo të pritet deri pas 4 vjetësh kur të vijnë zgjedhjet e përgjithshme./abcnews.al

