Regjistrohen edhe 6 tërmete të tjera në orët e para të ditës së sotme

schedule10:18 - 5 Korrik, 2018

schedule 10:18 - 5 Korrik, 2018

Vijojnë lëkundjet e tokës pas tërmetit të fuqishem me intensitet 6 ballë dhe magnitudë 5.1 e shkallës Rihter që goditi vendin tonë paraditen e djeshme. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, që nga mesnata e mbrëmshme e deri më tani janë regjistruar edhe gjashtë tërmete të tjera që kanë goditur vendin tonë.

Epiqendra e tyre vijon të jetë zona bregdetare e Adriatikut pranë Gjirit të Lalëzit, si dhe disa fshatra në zonën e Fushë-Krujës.

Lëkundja më e fortë tokës gjatë orëve të fundit ndodhi rreth orës 02.10 të ditës së sotme, kur është regjistruar një tërmet me magnitudë 3.9 ballë dhe epiqendër fshatin Shetaj pranë Kepit të Rodonit.

Ndërsa lëkundja më e lehtë sot është regjistruar ajo me magnitudë 2.3 ballë dhe epiqendër 3 kilometra në jugperëndim të Thumanës në Fushë-Krujë.

Në pothuajse 24 orët e fundit që kur u regjistrua tërmeti i parë i fortë me intensitet 6 ballë, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka publikuar në faqen e tij në internet rreth 20 post tërmete më të vogla, ndërkohë që goditjet e tjera të tokës më të vogla përllogariten të kenë ndodhur edhe disa dhjetra të tjera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!