Regjistrimi i pasurive, KLSH kallëzon pesë zyrtarë të Kadastrës së Lushnjes

schedule18:07 - 25 Janar, 2022

schedule 18:07 - 25 Janar, 2022

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori 5 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës Lushnje nën akuzën për shpërdorim detyre. Sipas KLSH gjatë një auditimi janë konstatuar një sërë veprimesh dhe mosveprimesh të ndërmarra nga ana e ish drejtorit të Aluiznit, ish drejtorit të DVASHK Lushnje, një Përgjegjësi Sektori dhe dy specialistëve në DVASHK.

Këto (mos)veprime të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të ligjshme të shtetit dhe/ose personave të tretë”, thotë KLSH.

Po ashtu KLSH ka kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat tre funksionarë të Drejtorisë Vendore të Aluiznit, Berat.

Lexo edhe: Shpërdorim detyre, KLSH kallëzon dy ish-drejtorët dhe një ish-punonjës të Kadastrës së Beratit

Njoftimi i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar auditimin me objekt “Mbi procedurën e pranimit dhe administrimit të dokumentacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe auditimin e ligjshmërisë dhe përputhshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizimit për periudhën e funksionimit” në Drejtorinë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Lushnje.

Nga ky auditim janë konstatuar një sërë veprimesh dhe/ose mosveprimesh të ndërmarra nga ana e ish Drejtorit të ALUIZNIT, Drejtoria Rajonale Lushnje, ish drejtorit të DVASHK Lushnje, një Përgjegjës Sektori dhe dy specialistë në DVASHK Lushnje.

Këto (mos)veprime të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të ligjshme të shtetit dhe/ose personave të tretë.

Për sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje kallëzimin penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!