Regjisori izraelit kërcënohet me vdekje, shkak bëhet Palestina

schedule16:50 - 28 Shkurt, 2024

schedule 16:50 - 28 Shkurt, 2024

Regjisori izraelit Yuval Abraham njoftoi se ka marrë kërcënime me vdekje për shkak të një dokumentari që tregon dhunën e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“No Other Land” është filmi dokumentar që Abraham e realizoi në bashkëpunim me kolegët e tij palestinezë dhe fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Berlin javën e kaluar.

Në postimin në llogarinë e tij në rrjetet sociale X, Abraham bëri një deklaratë për kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij pas fjalimit të tij në Berlinale.

Regjisori izraelit, Abraham tha: “Një bandë izraelite e krahut të djathtë erdhi në shtëpinë e familjes sime dje duke më kërkuar mua dhe kërcënoi anëtarët e familjes sime që duhej të shkonin në një qytet tjetër në mes të natës”.

Ai tha se ende merrte kërcënime me vdekje dhe duhej të anulonte fluturimin e tij të kthimit në Izrael. Abraham thekson se fjalimi i tij në Berlinale, në të cilën ai “bëri thirrje për t’i dhënë fund aparteidit”, u etiketua pa kuptim si “antisemitik” nga mediat izraelite dhe politikanët gjermanë.

Abraham thotë se gjermanët e keqpërdorin antisemitizmin jo vetëm për të heshtur palestinezët që kritikojnë Izraelin, por edhe për të heshtur izraelitët si ai, të cilët mbështesin armëpushimin që do t’i jepte fund “vrasjes në Gaza” dhe do të lejonte lirimin e të burgosurve izraelitë.

Regjisori izraelit tha se gjyshja e tij ka lindur në një kamp përqendrimi në Libi dhe se shumica e anëtarëve të familjes së gjyshit të tij u vranë nga gjermanët gjatë Holokaustit. Abraham potencon se ishte i zemëruar që politikanët gjermanë “kishin guxim të përdornin termin antisemitizëm si armë kundër tij në një mënyrë që rrezikonte familjen e tij”.

Ai shtoi se sjellja në fjalë rrezikoi më tej bashkëregjisorin e filmit, palestinezin Basel Adra, i cili jeton nën okupim në rajonin Masafer Yatta.

Në fjalimin e tij në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 25 shkurt, Abraham tha: “Unë jam izraelit, bashkëregjisori i filmit, Basel Adra është palestinez dhe pas dy ditësh ne do të kthehemi në një vend ku nuk jemi njësoj. Unë jetoj nën rendin civil, Basel është nën rendin ushtarak. Jemi vetëm 30 minuta larg njëri-tjetrit. Unë kam të drejtë vote, ai jo. Më lejohet të lëviz lirshëm në këtë vend, ndërsa Basel, si miliona palestinezë, është i mbyllur në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo pabarazi mes nesh duhet të marrë fund”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!